Reagon kryetari i Deçanit lidhur me Manastirin

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka reaguar ndaj kërkesës së Natalyia Apostollovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ramosaj përmes këtij reagimi, ka treguar edhe historikun e tokës së Manastirit të Deçanit, e cila iu është marrë shqiptarëve dhunshëm në kohën e Millosheviqit.

Ai ka thënë se kontesti për pronësinë e tokës ka filluar qysh nga viti 1992, kur 6 persona ishin vrarë në demonstratat në Deçan nga pushteti serb.

Kujtojmë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë në vitin 2016, por nuk është zbatuar në praktikë nga Komuna e Deçanit.

Postimi i plotë i Ramosajt:

Deçan 21.05.2019

Reagim :

Lidhur me Kërkesën e Apostollovës për vendimin e gjykatës kushtetuese dhe kërkesa e saj për zbatimin e këtij vendimi.

Edhe një herë , për hir të sqarimit të opinionit publik dhe institucioneve vendore dhe ndërkombëtare po mundohemi të japim argumentet e nevojshme pse nuk zbatohet vendimi i gjykatës kushtetuese të vitit 2016.

Së pari : Para se të nxirët vendimi i gjykatës kushtetuese në vitin 2016, e shoh të domosdoshme të sqaroj historikun e këtij kontesti i filluar në vitin 1992, vit ky kur Deçani kishte 6 njerëz të vrarë në demonstrata nga pushteti i athershëm serb , kishte qindra të plagosur dhe qindra e qindra të burgosur në demonstrata të organizuara para kësaj kohe, qindra nxënës të helmuar dhe në at kohë punëtorët e ndërmarrjes hoteliere ,,Iliria ’’ishin të larguar dhunshëm nga puna .Pikërisht në këtë kohë kur qytetarët shqiptar nuk kishin as një të drejtë, ndërmarrja e dhunshme Hoteliere ,,Slloga’’ i bën dhuratë Manastirit 12 hektar tokë pronë e hotelit ,,Iliria’’ .Vlerësojmë se mbi bazën e këtyre argumenteve të lart cekura personeli i Manastirit ka gabuar rëndë duke pranuar ketë dhuratë ( Poklon).

Së dyti: Kontesti vazhdon gjër në vitin 1997 periudhë e mbushur me tmerr për shqiptarët një aparthied klasik mbi popullatën e Deçanit, të ushtruar nga shteti serb dhe pikërisht në fund të vitit 1997 me propozimin e qeverisë së Serbisë parlamenti i Serbisë nxjerr vendim për dhuratën edhe të pronës së Bletarisë(Apiko ), prej 12 hektarëve duke ja dhuruar Manastirit të Deçanit 24 hektar tokë, edhe në këtë rast personeli i Manastirit ka gabuar rënd duke pranuar këtë dhuratë.

Së treti: Edhe pse gjër në Qershor të vitit 1999, ishte instaluar administrata e dhunshme serbe e cila bëri gjenocid mbi këtë popull administrata e cila aplikoi projektin e tokës së djegur , vrasjeve, dhunimeve masakrave . Po e njëjta nuk pranoi që ketë pronë ta bart mbi manastirin e Deçanit .Sepse një veprim i tillë ndalohej nga Ligji Federativ për Qarkullimin e Pronës së Ndërmarrjeve Shoqërore.

Së katërti: Kontesti i filluar në vitin 1999, ku punëtorët e dy ndërmarrjeve shkojnë ti qasen edhe Hotelit edhe Bletarisë nuk lejohen që të hyjnë brenda këtyre objekteve të cilat i kishin ndërtuar me mundin dhe djersën e tyre .Kontesti fillon në gjykatën komunale të Deçanit në vitin 2000, dhe zgjat deri në vitin 2016 , pikërisht më 19 maj kur Gjykata Kushtetuese nxjerr vendimin më paradoksal të mundshëm. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore komuna e Deçanit nuk njihet si palë në procedurë kurse dy ndërmarrje,, Apiko’’ dhe ,,Iliria’’ përfaqësohen nga zyrtari Ligjor i AKM-së Ernes Copke, i cili gjatë tërë procedurave në vend që të përfaqësoj dhe mbroj interesin e punëtorëve dhe ndërmarrjeve , del në mbrojtje të vendimeve të pa drejta të vitit 1992 dhe1997.

Së pesti: Edhe pse jemi të vetëdijshëm për pasojat e mos zbatimit të vendimit nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese, jemi shumë të vendosur në mos zbatimin e tij, sepse vlerësojmë që është një goditje për zhvillimin ekonomik të komunës së Deçanit , vendim i cili po e vranë shpresën e qytetarëve të komunës së Deçanit, që në ketë vend mund të jetohet me një standard më të lartë ekonomik, duke shfrytëzuar resurset dhe potencialet që ka Deçani.

Së gjashti : Dy janë rrugët e mbylljes së këtij kontesti që Gjykata Kushtetuese ta kthej në rishqyrtim rastin, ndërsa zgjidhja e dytë është që komuna e Deçanit dhe manastiri i Deçanit ta zgjidhin me mirëkuptim këtë kontest. BR