Reagon kryetari i Deçanit: S’kemi asnjë rast me koronavirus, është qytetar i karantinuar në Qendrën e Studentëve

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar pas rastit të parë me koronavirus në Deçan, i lajmëruar sot nga IKSHPK-ja.

“Qytetarë të Deçanit, është publikuar sonte një informatë se një qytetarë nga Lëbusha e Deçanit është i infektuar nga Corona Virus. I siguroi qytetarët dhe mediat që ende nuk kemi rast në Deçan. Rasti nga Lëbusha, është rastë i cili ka ardhur nga bota e jashtme i karantinuar në Konvikt (Qendra e Studentëve). Të cilit-es i dëshiroj shërim të shpejtē si gjithë të tjerëve. Deçani ende nuk ka të infektuar me COVID 19″, ka shkruar Ramosaj.

Njoftimi i IKSHPK-së:

Sot më 15 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 173 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Me SARS-CoV-2, pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e gjashtë (36) raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë (9) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Ferizaj, katër (4) raste Talinovc dhe një (1) rast Mirash), tetë (8) raste nga komuna e Kamenicës (sipas vendbanimit: katër (4) raste Topanicë, katër (4) raste Hodonovc), pesë (5) raste nga komuna e Prizrenit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Prizren dhe një(1) rast Skorobishte), tre (3) raste me vendbanim në Gjakovë, dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicë e veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Suharekë, Lipjan, Ramjan-Viti, Banjë-Malishevë, Studenicë-Istog, Lëbushë-Deçan dhe Zveçan.

Kështu në Deçan shënohet rasti i parë me koronavirus, respektivisht në fshatin Lëbushë të kësaj komune.