Reja deklarohet pas ndeshjes

Edoardo Reja mori fitoren e parë kuqezi dhe ishte si një çlirim. Në lidhje direkte me Supersport, trajneri italian u pyet nga gazetarët.

Pas ndeshjes ai deklaroi se: “Na duhej fitorja për të mos pasur frikë kur të kishim topin. E nisëm mirë, duke mbajtur topin, pastaj dolën ata dhe duhet të theksojmë se nuk është e lehtë të fitohet kundër kujtdo…”

“Pastaj, djemtë ishin të zhgënjyer për pikën që na mungoi në Islandë. Ishin të shqetësuar, sepse nëse nuk fitonin këtë ndeshje, hynte frika disi… Ndaj ishte e rëndësishme sot”, tha Reja.

Xhaka jashtë? “Provova të tjerë! Nuk është e thënë të luajnë të gjithë. Kam 23 futbollistë, gjendja fizike e tyre. Nuk mund të shpik në 15 ditë lojë dhe pozicione. Duhet të rritemi dhe duhet qetësi. Na duhet kohë. Kur të rritemi, atëherë do të shihni gjëra të bukura”, shprehet ai.

Do të vazhdojë 3-5-2? “Pjesën e dytë luajtëm me katër mbrapa, askush ndoshta nuk e vuri re. Ndryshuam nga 3-5-2. Spostova Uzunin. Do të mbajmë 3-5-2. Rezultatet nuk arrihen pa vuajtje. Me vuajtje arrihen rezultatet”.

“Krijuam 4-5 raste dhe nuk i finalizuam. Nëse nuk i shfrytëzon, e ke të vështirë. Vuajtëm sepse nuk vinte goli. Në pjesën e dytë aktivizova lojtarë të freskët. Cikalleshi u soll si luan dhe kur ke fizik dhe lojtarë të tillë, atëherë mund të vijë edhe goli”.

Cikalleshi po bën mjaft mirë dhe ka 90 minuta në këmbë dhe dinamizëm. Më shërben për të shfrytëzuar mundësitë. Por, mesfushorët nuk u futën shumë në zonë. Bëmë në mirë në Islandë se sa këtu, sepse kishim më shumë hapësirë. Ndërsa, sot hasëm vështirësi”, tha në fund Reja.