Vjedhje në ‘Viva Fresh’ në Prishtinë, arrestohet në flagrancë 44-vjeçari që ‘avulloi’ produkte ushqimore

Një fenomen mjaft shqetësues janë bërë vjedhjet e shpeshta, sidomos në markete, që po shkaktojnë ankth, pasiguri e humbje për bizneset. Të dyshuarit shpeshherë arrijnë që të shpëtojnë nga prangat e Policisë, por ka raste kur kapen ose përmes kamerave, ose nga punëtorët e sigurimit, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur së fundi në pikën e ‘Viva Fresh’ në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, ku një person ka arritur të vjedh gjëra ushqimore, por më pas u kap nga në flagrancë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është R.L., 44-vjeçar, i cili dyshohet se ka vjedhur produkte të ndryshme, të cilat i ka futur në veturë dhe ka tentuar të largohet pa u vërejtur.

Por plani i shkoi huq, pasi nga marketi e njoftuan Policinë dhe i njëjti u arrestua dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.