Reja pas ndeshjes: “Tre futbollistë më surprizuan”, ja pse e vendosa Roshin në krahun e majtë të mbrojtjes

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, foli pas humbjes 4-1 ndaj Francës për mikrofonin e “RTSH”-së, teksa u shpreh:

“Diçka pozitive e patë. Është normale që bëmë disa gabime individuale që sollën 2 golat në pjesën e parë. Ishte mungesë vëmendja nga lojtarët. Në disa momente arritëm të dilnim përpara portës. Është normale, falë cilësive që ka, Franca na vuri në vështirësi, kishte lojtarë tepër cilësorë nga krahët, që na vurën në vështirësi. Gjithsesi skuadra jonë diçka pozitive e tregoi në ndeshjen e sotme.

Prisnit 11 luanë në fushë, ishin?

Mendoj se po! Kishim elementë të spikatur në luftën me kundërshtarin. Abrashi luftoi deri sa pati mundësi. Bare ka bërë një ndeshje të madhe, një prezantim të shkëlqyer. Gjasula ishte surprizë e bukur, kemi inskenuar disa lojtarë që na duhen për të ardhmen!

Ideja për aktivizimin e Roshit në të majtë të mbrojtjes…

Dëshiroja të sulmonte në zonën kundërshtare se është i mirë në sulm, ishte pak i vëmendshëm në fazën mbrojtëse, jo se duhej të ishte mbrojtës. Mendova që të vendosja atë meqë është i shpejtë, por kishte ndonjë situatë negative, sa i përket fazës mbrojtëse. Është përgjegjësi e imja, mendoja se do të bënte mirë, në pjesën e parë dhe të dytë nisi kroset, se doja të sulmonte. Mendoja se me 3 mbrapa mund të impenjonte më shumë Francën e sa mundi bëri. I kërkova gjëra që nuk janë në kapacitetin e tij”.