Reja sfidon Francën: Dua 11 luanë në fushë

Trajneri i kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka folur në konferencën për shtyp para sfidës ndaj “gjelave”. Strategu italianë kërkon që në fushën e lojës të zbresin “11 luanë” për të synuar një rezultat pozitiv.

“Këshillat që do të thoja do të ishin, që si fillim mos të bëjmë asnjë gabim, të lemë pak hapësira, duhet të jemi shumë mirë fizikisht. Sado hapësirë të vogël të gjejnë ata e shfrytëzojnë shumë mirë. Ne duhet të jemi gati, në çdo moment dhe gabim që të bëjnë ata.

Pika e tyre e dobët? Deschamps është një mik për mua, është një trajner i madh dhe kam respekt. Ai nuk do të rrezikojë duke hedhur lojtarët në sulm, por do kërkoj ekuilibër. Ai ka lojtarë shumë të mirë që dinë të shfrytëzojnë hapësirat dhe kanë një kundërsulm të shpejtë.

Shpejtësi apo muskuj? Me siguri do na duhet shpejtësi dhe agresivitet në markim. Spikat Grizman nga ata, është kyç në sulmin e tyre dhe mund të krijoj situata të rrezikshme nga pothuajse asgjë. Duhet ta markojmë në gjithë perimetrin e fushës.

Imazhi i Hysajt? Hysaj është një lojtar i madh dhe ka një eksperiencë të madhe. Në planin mbrojtës është shumë i mirë, por nuk na mjafton vetëm Hysaj. Ne nesër duhet të kemi një 11-she të denjë, duhet të markojmë, të dublojmë. Do të fillojmë ndeshjen të mbyllur, por ne gradualisht do tentojmë maksimumin, dhe do tentojmë mos të rrimë gjithë ndeshjen në mbrojtje. Dua 11 “luanë” nesër në fushë dhe duhet të jenë lojtarët të motivuar”, deklaroi Reja.