Rezultatet e dobëta të PISA-s, zëdhënësi i VV-së: Gjendja në arsim s’ndërrohet brenda 2-3 viteve

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, lidhur me rezultatet e dobëta të testit “PISA 2022” për Kosovën, ka theksuar se ndryshimet në fushën e arsimit nuk mund të ndodhin brenda dy apo tre vitesh.

Ai ka thënë se fusha e arsimit është një nga ato ku përmirësimet mund të kenë një impakt afatgjatë, dhe për këtë sipas tij, duhet angazhim i të gjithë faktorëve shoqërorë.

“Rezultatet e PISA-s dhe jo vetëm tregojnë për gjendjen e cilësisë në arsim, gjendje e cila as për të mire e as për të keq nuk mund të ndërrohet brenda 2-3 viteve. Nëse ka ndonjë fushë frytet e së cilës, çfarëdo qofshin ato, do t’i vjelim në periudhë më afatgjatë sesa pothuajse secila fushë tjetër, ajo pa dyshim që është fusha e arsimit. Është një fushë ku kërkohet angazhim i të gjithë faktorëve shoqërorë për të ecur përpara”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, ndryshimet në arsim kanë filluar dhe “përpjekja është serioze e jo kozmetike”.

Manxhuka ka përmendur se nga viti 2003 deri në vitin 2020 janë ndërtuar vetëm 4 çerdhe, ndërsa nga marsi i vitit 2021, në 2.5 vite, janë përfunduar 4 çerdhe të reja, 26 janë në proces ndërtimi, dhe 6 objekte janë adaptuar si çerdhe.