Kuvendi fillon punimet me një minutë heshtje në nderim të kompozitorit Fahri Beqirit

Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblidh sot në seancë të rregullt plenare.

Kjo seancë filloi punimet me një minutë heshtje në nderim të kompozitorit Fahri Beqirit.

Ai vdiq para dy ditësh në moshën 85 vjeçare.

Krahas punës së suksesshme krijuese më vlera artistike të ngritura e të qëndrueshme në kohë, Fahri Beqiri shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të ketë interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në lidhje me shtesat e pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë.

Pas interpelancës, pikë e rendit të ditës është edhe propozimi i Avokatit të Popullit bashkë me rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me zgjedhjen e 5 zëvendës-avokatëve të Popullit.

Tjetër pikë e rendit të ditës është votimin lidhur me përbërjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.