Rikthehet komunikimi mes familjarëve dhe ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Pas dy javësh nga kërkesa ‘urgjente’ e Prokurorisë së Specializuar dhe miratimi i përkohshëm i saj nga Trupi Gjykues për t’i ndaluar gjithë komunikimet mes ish krerëve të UÇK-së që po qëndrojnë në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen dhe familjarëve të tyre, gjendja ka ndryshuar.

Sipas Klankosova, pas rishqyrtimit të fakteve nga Regjistri dhe ankesave të ekipeve të mbrojtjes, gjykata pritet ta publikojë së shpejti vendimin me anë të së cilit lejon vizitat fizike të familjarëve në Qendrën e Paraburgimit, përveç komunikimeve me telefon dhe përmes Zoom siç kishte këmbëngulur ZPS.

Të premten e 17 nëntorit, Prokuroria e Specializuar dorëzoi kërkesë urgjente për të ndaluar çfarëdo komunikimi me jashtë, përveç kontaktit bazik me ekipet mbrojtëse (apo komunikimi i privilegjuar siç iu referohet në parashtresë) për shkak se prokuroria ka zbuluar nga përgjimet disa-mujore se të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kishin zbuluar detaje nga dëshmitë e dhëna në seancë private me personat që i vizitonin ata në Qendrën e Paraburgimit, identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur si dhe kishin dërguar mesazhe përmes personave të tretë dhe të katërt tek dëshmitarët të cilët pritej të dëshmonin që ta zbusnin dëshminë e tyre.

Për t’i vërtetuar këto pretendime, Prokuroria u dorëzoi gjykatës dhe ekipeve mbrojtëse edhe transkriptet e komunikimeve që ishin përgjuar.

Mirëpo gjatë këtyre ditëve, mbrojtja e cila pranoi edhe një USB nga Zyra e Prokurorisë, nxori korrespodencë të re komunikimesh me të cilat pretendojnë se ish krerët e UÇK-së, nuk dhanë udhëzime për të ndërhyrë por për të qëndruar sa më larg nga dëshmitarët e prokurorisë, ngaqë çdo bisedë me ta do t’u shkaktonte dëm në procesin gjyqësor.