VV s’i kthen përgjigje, Jasharaj sot takohet me PDK-në e LDK-në

Krerët e opozitës në vend do të takohen sot me Kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn, pasi Qeveria e Kosovës ua ka bllokuar pagat mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë nëpër komuna, që janë në grevë nga 25 gushti.

Lajmin për Front Online e ka konfirmuar vet Jasharaj, duke thënë se ftesë u kanë dërguar edhe Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por se konfirmim kanë marrë vetëm nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa, pohon se edhe nga presidenca kanë konfimruar se do të dialogojnë me ta.

“Po, u kemi dërguar ftesë të gjitha partive opozitare dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Nga PDK-ja dhe LDK-ja, kanë konfirmuar takimin për sot, jemi në pritje të përgjigjen nga AAK-ja. Kurse, nga presidenca tashmë janë të hapur për dialog”, ka thënë Jasharaj, për Front Online.

Jasharaj, ka pohuar se ende nuk e din orën e saktë se kur do të ndodhë takimi mes Krasniqit e Abdixhikut.

Ndryshe, ende nuk dihet se kur do të ekzekutohen pagat për punëtorët e institucioneve publike, të cilët janë grevë që nga 25 gushti.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion. Kurse, zyrtarë në Thesarin e Kosovës thonë se janë në pritje të konfirmimit të listave të pagave.