Rikthehet sistemi TIMS në aeroportin e Rinasit

Sistemi TIMS në Aeroportin e Rinasit është rikthyer në punë pasi qëndroi i bllokuar prej më shumë se 24 orësh si pasojë e sulmit kibernetik nga Irani.

Nga ana tjetër në pikat kufitare tokësore dhe detare vijon regjistrimi i hyrje-daljeve të qytetarëve me anë të regjistrave.

Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave u bllokua të premten në darkë pasi ra pre e një sulmi kibernetik, që krijoi vështirësi në pikat kufitare për regjistrimin e shtetasve në hyrje dhe dalje. Lajmin e dha vetë kryeministrti Edi Rama i cili shkroi se përgjegjëse është Republika Islamike e Iranit, i njëjti agresor që sulmoi sistemet online më 15 Korrik.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë teksa dënoi sulmin tha se Uashingtoni po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të rikthyer situatën në normalitet. Sulmi ndaj TIMS erdhi dy ditë pasi qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin si përgjigje ndaj sulmit kibernetik të korrikut.