Rinumërimi i plotë i përmendur nga Daka gëzon partitë që pësuan humbje në zgjedhje

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka së fundmi ka deklaruar se mund të ketë rinumërim të përgjithshëm të votave, pasi ka ankesa nga paritë politike dhe kandidatët për deputet.

Ky rinumërim, po del të jetë i mirëseardhur për partitë që nuk zunë vend të kënaqshëm në zgjedhjet e 6 tetorit e disa prej tyre nuk arritën ta kalojnë as pragun zgjedhor, shkruan Periskopi.

Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate në një prononcim për Periskopin thotë se për të qenë këto zgjedhje të pranueshme, atëherë rinumërimi do të ishte i domosdoshëm.

‘’Duke e pasë parasysh për shkak të gabimeve që kanë qenë në formularë, atëherë e vetmja rrugë që këto rezultate të zgjedhjeve të jenë të pranueshme për të gjitha subjektet politike edhe për Nisman dhe mbi të gjitha të ruhet kredibiliteti është që të gjitha kutitë të hyjnë në rinumërim. Pra, të ruhet kredibiliteti i zgjedhjeve dhe rezultat të jenë të të pranueshme për të gjitha palët’’, tha Shala.

Të njëjtin mendim me partinë që ishin në koalicion e ndanë edhe Vesel Makolli i AKR-së. Ai thotë se nga këto zgjedhje janë dëmtuar shumë si parti.

Makolli tutje thekson se largimi i komisionerëve dhe vëzhguesve të kësaj partie nga qendrat e votimit ka lënë hapësirë që të keqpërdoren votat e koalicionit NISMA-AKR.

‘’Kemi insistu edhe ma herët e kemi bërë një shkresë për rinumërim të tërësishëm pasi që jemi të dëmtuar, sidomos AKR-ja që s’kemi pasë përfaqësues sa duhet. Komisionerët edhe vëzhguesit kanë qenë të paktë e në disa qendra i kanë largu kështu që ne jemi për rinumërim dhe atë për në Qendër të Rinumërimit sepse aty është mbikqyrja më e mirë. Sido që të jetë, për neve është shumë më mirë që të rinumërohen, sepse ka gabime dikund me qëllim diku pa qëllim dhe ato të dëmtojnë. Me siguri se AKR do të dilte shumë më mirë nëse do të shkojmë në rinumërim. Ne mendojmë se e kemi kalu pragun pasi do të rinumërohen votat nga diaspora.’’, përundon Veseli për Periskopin.

Ndërsa, Muharrem Nitaj nga AAK, thotë se asnjë parti nuk duhet të frikësohet nga rinumërimi i votave, kështu duke u shprehur të hapur për rinumërim.

‘’E kemi vërejtur që ka pakënaqësi në të gjitha anët. Edhe nga partitë politike edhe nga jo pak kandidatë. Kështuqë mendoj se askush s’ka nevojë t’i frikësohet rinumërimit të të gjitha kutive. Vota është në kuti dhe rezultati ka legjitimitet vetëm sipas asaj vote. Ne si parti nuk e kemi diskutuar nëse jemi për rinumërimin e përgjithshëm ose jo, por jam i bindur se nuk ka asnjë njëri që është kundër rinumërimit!’’, përfundon Nitaj.

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje duke folur për Periskopin thekson se rinumërimi i tërësishëm i votave do të ishte i pakuptimtë në këtë kohë dhe se nuk ka asnjë bazë për ta ndërmarrë një vendim të tillë.

Tutje thekson se KQZ të gjitha procedurat i ka përfundu në QNR dhe se notat që janë duke u numëruar janë vetëm ato nga diaspora.

‘’Sa i përket KQZ-së, të gjitha procedurat janë përfundu në QNR, tashmë kanë mbet të numërohen edhe votat e ardhura nga diaspora dhe KQZ do ta bëj shpalljen të rezultateve përfundimtare. Sa i përket rinumërimit të përgjithshëm të votave, nuk ka më as bazë e as çështje në rend dite. Në ndërkohë nuk ka asnjë bazë për kurrëfarë rinumërime të tilla sa i përket subjekteve politike, eventualisht mund të ketë ankesa nga kandidatët e subjekteve të ndryshme politike në PZAP. Kështu që as nuk ka bazë e as nuk pres të ketë rinumërime kurrsesi në masë të tilë po as rinumërime sa i përket subjekteve politike eventualisht ndonjë vendim në bazë të ankesave të kandidatëve’’, përfundon Rrustemi.

Kujtojmë se sipas listës paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit është rreth 1 milion e 900 mijë, ndërsa sipas regjistrit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 numri i popullatës së përgjithshme në Kosovë ishte gati 1 milion e 800 mije.

Lista e votuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, buron nga ekstrakti i regjistrit qendror civil dhe përfshinë të gjithë qytetarët me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit.

“Arsyeja se pse numri i qytetarëve më të drejtë vote dhe i banorëve është i përafërt është sepse në listën e votuesve janë të përfshirë qytetarë me të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit, ndërsa në numrin e popullsisë përfshihen vetëm banorët rezidentë që kanë qenë prezent në Kosovë gjatë regjistrimit të popullsisë”, kishte thënë Elezi.