Rizvanolli: Dialogu s’është top-prioriteti jonë, po punojmë për problemin e rrymës në veri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është në top-listën e problemeve të qeverisë apo zgjidhjeve të saj.

Këto deklarata, Rizvanolli i bëri në një intervistë për DW ku tha se Kosova ka probleme me energji në veri, problem ky që sipas saj është tash e 23 vjet, dhe për të cilin tha se po punojnë.

“Presim rezultatet e dialogut në këtë aspekt. Ne si shtet i Kosovës kemi bërë maksimumin. Shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe Rregullatorin e Energjisë si edhe disa ekspertë nga Kosova dhe diaspora, të cilët i kemi konsultuar gjatë këtyre negociatave, të cilët kanë qenë shumë këmbëngulës në ruajtjen e interesit të shtetit të Kosovës në mënyrë shumë konstruktive, gjë që është njohur edhe nga ana e BE-së dhe tani presim të shohim edhe sesi do të zhvillohet më tej”, është shprehur Rizvanolli për DW.

Tutje, Rizvanolli tha se është fatkeqësi për Kosovën që nuk e përdorë gazin, teksa në anën tjetër, sipas saj, vendi po përballet me krizë të paprecedentë në një kohë, ku për 40 vite tha se nuk ka pasur investime serioze në sektorin e energjisë.

“Për sigurinë tone të furnizimit ne duhet të bazohemi në termocentrale 40 dhe 60 vite të vjetra, të cilat sigurisht në çdo moment mund të kenë prishje të paparashikuara, të cilat na kushtojnë shumë. Dhe kjo nuk është një gjë që mund të rregullohet brenda natës”.

“Mirëpo ajo çfarë është me rëndësi është që ne e kemi një vizion të qartë për atë ku do të shkojmë. Për herë të parë strategjia jonë e energjisë synon dekarbonizimin deri në vitin 2050, në linjë me agjendën e gjelbër evropiane dhe për herë të parë ne marrim parasysh edhe ndikimin e taksës së karbonit në implikimin në tregun evropian dhe implikimet që ai do t’i ketë për sektorin energjetik të Kosovës”, ka thënë Rizvanolli.