Rohde: Nuk bën të rinovohet shtëpia e Xhafer Devës, ish-bashkëpunëtorit të nazistëve

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në një reagim të dhënë së fundi, është shprehur kundër rinovimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Në qëndrimin e tij përmes twitter, ambasadori Rohde madje Xhafer Devën e cilëson bashkëpunëtor të nazistëve, përcjell Klankosova.tv.

”Shumë të shqetësuar rreth planeve për ta restauruar shtëpinë e Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur i divizionit famëkeq SS ”Skanderbeg”. Asnjë histori nuk lahet. Mos e shtrembëroni të vërtetën për Holokaustin dhe krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët lokalë të tyre. Të mbrohen faktet”, ka shkruar Rohde.

”Kultura e memories dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore duhet të shihet si mundësi për t’u përballur me të kaluarën, në një mënyrë të hapur dhe të drejtë. Ambasada gjermane është e gatshme të mbështesë çfarëdo nisme të arsyeshme në kulturën e memories në Kosovë”, ka shkruar ambasadori.

Ky reagim i ambasadorit gjerman erdhi pasi qeveria ka planifikuar qindra mijëra euro për këtë projekt, i cili pritet të nisë së shpejti dhe pikërisht në ditën kur Klan Kosova transmetoi një material dedikuar specifikisht çështjes së restaurimit dhe pamjes së re të kësaj shtëpie.