Vendimi i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës, ka nxjerrë nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” në rrugë, shkruan Fokusi.info.
Ata po e kundërshtojnë ashpër mbylljen e objektit në të cilin ata po vijonin mësimin deri dje.
Aktualisht nxënësit gjenden para objektit të komunës, ku po brohorasin “hajna”, “hajna”.
Më herët, nxënësit e kësaj shkolle e kishin bllokuar rrugën për në Gërmi, duke protestuar kështu kundër këtij vendimi.
Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës ka vendosur që Gjimnazi “Ahmet Gashi” të mbyllet dhe nxënësit e kësaj shkolle do të vendosen në dy shkolla tjera.
Në rrethojat e oborrit të kësaj shkolle, mbrëmë ishin vendosur shiritat, ku ndalohej hyrja e nxënësve në objektin e kësaj shkolle.
Mësohet se nxënësit e klasës së 10-të të kësaj shkolle do të vendosën në objektin e Shkollës Fillore “Emin Duraku”, kurse klasat e 11-ta dhe të 12-ta do të vendosën në Gjimnazin “Sami Frashëri”.
Mësimi në këtë shkollë është ndërpre, pasi është vlerësuar se objekti i kësaj shkolle nuk i plotëson kushtet dhe standardet e kërkuara për vijimin e mësimit.