Ronaldo ka tre kushte për rinovimin

2 vjet më shumë, 30 mln euro dhe portier të ri

Jemi në fundin e vitit 2020 dhe në Janar Cristiano Ronaldo futet në vitin e fundit të kontratës me Juventus, që skadon në verën e 2022-it. Duket larg, por kur bëhet fjalë për një nga më të mirët e botës, vëmendja është maksimale.

Do të rinovojë apo do të largohet Ronaldo nga Juventus? Asnjë nuk mund ta thotë me siguri, pasi varet nga shumë faktorë. Së pari, është mosha e portugezit, që në verën e 2022-it do të ishte gati 37 vjeç.

Së dyti, paga e lartë mbetet problem në këto kohë të vështira për klubet. Vetë Ronaldo duket se po tregohet fair play, të paktën në daljet publike, duke deklaruar se ndihet mirë te Juventus dhe i motivuar.

Megjithatë, sipas mediave italiane, ai ka vënë 3 kushte për të rinovuar. Së pari, minimumi 2 vjet rinovim, deri në 2024. Kushti i dytë është që rroga e tij mos ndryshojë, 30 milionë euro në vit dhe së treti që duket se është pretendimi më i habitshëm, një portier i ri në ekip që t’i japë garanci skuadrës.

Duket se topi është në fushën e drejtuesve të Juventus, të cilët nuk po nxitohen. Fakt është se rendimenti i Ronaldos ka qenë fantastik.

Me CR7 në fushë bardhezinjtë marrin vetëm rezultate pozitive. Gjithsesi, asnjë nuk mund të parashikojë se si do të jetë forma e tij pas dy vitesh dhe ajo çfarë frenon më shumë krerët e Zonjës së Vjetër është paga 30 milionëshe.

Ka zëra se Juventus edhe mund ta shesë Ronaldon, për të përfituar sa të jetë e mundur, për sa kohë marka CR7 sjell të ardhura.

Tv Klan