Rrahmani e akuzon Kusari-Lilën: Bashkë me LDK-në e votuan projektligjin për fertilizim

Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, ka akuzuar shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila se në marrëveshje me Lidhjen Demokratike ka mundësuar miratimin e projekligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar.

“Me marrëveshjen ndërmjet shefes së GP të VV-së Mimoza Kusari dhe Shefit të grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi, sot kaloi në lexim të parë ligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar.” – ka shkruar Rrahmani në Facebook.

Rrahmani tha se në votimin e dytë të këtij ligji bashkë me disa deputetë të tjerë do të kërkojnë heqjen e neneve 8, 10 dhe 15, të cilat, sipas tij, “janë të dëmshme dhe të cilat nuk i kontribuojnë shoqërisë”.

“Arsyet pse kundërshtohet prej meje personalisht dhe disa deputetë të tjerë të cilët e kanë po ashtu qëndrimin e njëjtë janë tri pika kryesore në këtë ligj të cilat mendojmë që janë të dëmshme dhe të cilat nuk i kontribuojnë shoqërisë.” – ka thënë ai.

Kujtojmë se pas katër tentimeve, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për shëndet riprodhues dhe mjekësinë e asistuar për fertilizim.

Ky projektligj ka shkaktuar polemika të shumta që nga hera e parë që u paraqit para deputetëve. Disa prej deputetëve në pushtet kanë shprehur kundërshtimin e tyre.