Qeriqi: Gjykata Speciale bëri skandal pasi e kuptoi se nuk ka argumente për të gjykuar luftëtarët e UÇK-së

Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se në Kosovë e kanë kryer punën gjykatat ndërkombëtare.

Qeriqi në RTV Dukagjini ka thënë se është turp për Gjykatën Speciale që të bashkëpunojmë me kriminelë serb të luftës.

Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve të UÇK-së ka thënë se shumë dëshmitarë të Speciales kanë shpifur në deklaratat e tyre dhe sipas tij këtë gjë tashmë e ka kuptuar edhe vet Gjykata.

“Edhe Gjykata Speciale e ka kuptuar se nuk ka bazë dhe argumente për ta gjykuar ndonjë luftëtarë të UÇK-së…Në Kosovë kanë vepruar Gjykata e Hagës e janë kryer disa procese nga gjykatat e EULEX-it, që shumë persona pasi i kanë marrë nën hetim i kanë liruar si të pafajshëm. Tash këta [Gjykata Speciale] duke i pasur parasysh këto fakte janë detyruar të bëjnë këtë skandal”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Qeriqi thotë se është parë edhe më herët se Gjykata Speciale ka ndikim politik ashtu siç është parë edhe me rastin e Thaçi.

“Unë jam i sigurt se me dëshirën e tyre as zoti Thaçi e as zoti Veseli nuk do ta kishin votuar Gjykatën Speciale por kanë pasur presion të madh nga ndërkombëtarët për ta bërë një veprim të tillë”, tha ndër të tjera Xhevdet Qeriqi.