Rrëfimet e qytetarëve: Dolëm nga izolimi pa ritestim, na thanë në telefon se jemi shëruar

V.B. (emër i njohur për redaksinë e REL) nga Prishtina, kishte rezultuar pozitive me koronavirus më 18 korrik. Ajo nuk ishte hospitalizuar dhe ka qëndruar shtëpi. Pas 16 ditëve, ajo ka dalë nga izolimi pa bërë ritestim për COVID-19, i cili do të tregonte nëse është shëruar nga kjo sëmundje.

Përveç V.B., në familjen e saj ka pasur edhe anëtarë tjerë të cilët kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, e të cilët po ashtu kanë dalë nga izolimi pa u ritestuar.

“Ne kemi insistuar përmes telefonit (me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike) që të shohim mundësitë e ritestimit, por na është thënë se nuk ka teste për ritestim”, thotë ajo.

“Ka një javë që nuk kemi asnjë simptomë të COVID-19. Ne kemi frikë se mund ta bartim (virusin) te dikush tjetër, qoftë te familjarët, dhe vetëm për nevoja të domosdoshme kemi dalë. Jemi në një situatë të dyshimtë ende, po qëndrojmë me kujdes të shtuar”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Bashkëshorti i saj, i cili po ashtu ka rezultuar pozitiv dhe ka pasur simptome që nga 11 korriku, është kontaktuar nga IKSHPK-ja të hënën, më 3 gusht dhe pasi që ai nuk ka pasur më simptoma të COVID-19, i është thënë se është i lirë të dalë nga izolimi.

Sipas rekomandimeve të para të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që një person të konsiderohej i shëruar dhe të lirohej nga izolimi, paraprakisht duhej të dilte negativ në dy testime me metodën PCR, ku distanca kohore mes dy testeve, duhej të ishte 24 orë.

Kurse, që prej 27 majit, është një rekomandim tjetër, ku thuhet se pacientët mund të dalin nga izolimi pa u ritestuar. Sipas OBSH-së, këtë mund ta bëjnë 13 ditë pas shfaqjes së simptomave të sëmundjes COVID-19, me kushtin që në tre ditët e fundit, të mos kenë pasur asnjë simptomë.

Ndërkaq, personat asimptomatikë mund të dalin nga vetizolimi dhjetë ditë pas marrjes së rezultatit pozitiv për koronavirus.

Megjithatë, sipas OBSH-së, vetë shtetet mund të zgjedhin nëse për dalje nga izolimi të vendosin si kusht ritestimin.

Edhe, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), që nga 20 korriku më nuk rekomandohet strategjia bazuar në testim, për daljen nga izolimi të personave të shëruar nga COVID-19.

Kapacitetet e kufizuar diktojnë ritestimin

Në Kosovë për shkak të kapaciteteve të kufizuara për testim për sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi, jo të gjithë pacientët që kanë dalë pozitiv me këtë virus ritestohen.

Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se për personat e shëruar, IKSHPK-ja ka përdorur qasjen e kombinuar për shkak të kapaciteteve të kufizuara në testim.

“Personave të hospitalizuar iu bëhen testime, kurse në kujdesin parësor, personat që janë në kujdes shtëpiak –pra janë trajtuar në shtëpi – ata konsiderohen të shëruar në bazë të kritereve klinike, pra ata nuk testohen me dy teste negative. Kjo është qasja e kombinuar. Kjo është gjendja me personat e shëruar”, thotë Raka.

Teksti i plote ne REL