Rreth 11 mijë serbë shkuan nga Kosova për të votuar në Serbi

Pushteti lokal i komunave në veri të Kosovës organizoi udhëtim me autobusë për qytetarët që deshën të votojnë në zgjedhjet në Serbi.

Nga Graçanica u nisën afro dymijë e 500 persona për të kryer obligimin qytetar në Kurshumli. Drejt këtij qyteti të Serbisë u nis edhe kryetarja e Graçanicës, Lilana Shubariq, e shoqëruar nga bashkëpunëtorët.

Serbë të tjerë, për të shmangur tollovinë, u nisën nga Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë ose nga ndërmarrja Trepça në Zveçan. Një numër i madh i qytetarëve janë nisur edhe me vetura private.

Por nëse zgjodhën Jarinjën për të kaluar në Serbi u desh të prisnin së paku një orë në kolonat kilometërshe që u krijuan nga ora 9 e mëngjesit.

Por kështu nuk ishte edhe për ata që zgjodhën Merdaren për ta kaluar kufirin. Atje lëvizja ishte normale, pa pritje të gjata.