Rritet numri i vrasjeve në Kosovë, sociologu kosovar përmend shkaqet dhe pasojat

Para disa ditësh, Gjilani u trondit nga një ngjarje e rëndë. Gjatë mesnatës, në rrethana ende të panjohura, një i ri u ther me thikë, i cili s’arriti t’u shpëtojë plagëve.

Engjëll Smerqaku po kthehej nga puna, ndërsa u ther katër herë më thikë para banesës së tij në rrugën “Gjon Serreqi” në Gjilan.

19 vjeçari ishte ende gjallë, por që s’arriti edhe i gjallë deri tek Qendra Emergjente në QKUK në Prishtinë.

Për këtë rast të rëndë, ende s’ka asnjë të arrestuar derisa Policia e Kosovës, është në kërkim të kryerësve të veprës, motivet e së cilës ende janë të paqarta.

Ndërsa në një përgjigje për IndeksOnline, Policia e Kosovës ka thënë se vetëm gjatë këtij nëntëmujori të këtij viti ka pasur më shumë raste të vrasjeve se në të njëjtën periudhë kohore të një viti më pas.

“Në periudhën janar-shator (nëntëmujor) 2019 janë evidentuar 19 raste të vrasjeve dhe në të njëjtën periudhë të këtij viti janë 22 raste”.

E, sociologu kosovar, Ferdi Kamberi, thotë se fenomeni i vrasjeve në Kosovë pas vitit 1999 e këtej është shndërruar në ato fenomene të cilat kanë pasur një rritje dhe pasoja jashtëzakonisht të rënda për familjen, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi.

“Ky fenomen është shqetësues për shoqërinë kosovare për shkak se atakon drejtpërdrejtë jetën e individit dhe bart në vete një mori pasojash të cilat mund të reflektojnë në periudhat afatgjata dhe nëse nuk merren masa preventive me kohë, atëherë ky fenomen mund të jetë në rritje që do të reflektonte edhe në gjeneratat e reja, duke prodhuar kështu një shoqëri të dhunshme”.

Kamberi duke folur për shkaqet e vrasjeve, ndër faktorët dhe motivet e tjera janë edhe numri i madh i armëve që janë në duart e qytetarëve, ndërsa sipas tij veçmas tek të rinjtë kanë ndikuar filmat me përmbvajtje të dhunës.

“Disa nga shkaqet e vrasjeve në Kosovë janë: periudha e tej zgjatur e tranzicionit e cila ka prodhuar edhe një krizë të vlerave dhe kjo e fundit apriori ka prodhuar një krizë të identitetit, pastaj shpërfaqja e konflikteve ndër – personale në mes të individëve ose grupeve me prapavijë kriminale, shpërfaqja e konflikteve ndër personale në mes të individëve për motive të ulëta (sharje, fyerje, ngacmime, etj), gjakmarrja si formë e hakmarrjes e cila ka përcjellë shoqërinë shqiptare qysh herët dhe ende vazhdon të jetë prezentë, pastaj afekti, xhelozia, gjendja psikologjike e krijuar nga mbidoza, problemet me alkool, depresioni kronik, stresi postraumatik, sidomos i cili shfaqet në ato vende të cilat kanë pasur konflikte ose lufta dhe zakonisht ndodhë pas një periudhe 15 – 20 vjeçare, gjë që është evidente tek shoqëria kosovare. Po ashtu, faktorë dhe motive të tjera janë edhe numri i madh i armëve të cilat janë në duart e qytetarëve, faktorët individual, faktorët socio ekonomik (borgjet, fajdetë ose konfliktet për gjëra të tilla), ndikimi i medieve në veçanti filmat me përmbajtje të dhunës, gangsterëve, etj, të cilat mund të jenë model sidomos për të rinjtë duke imituar rolet e tyre.

Në kontekstin sociologjik mund të themi se vrasjet gjithashtu ndodhin edhe si rezultat i modelit kulturor dhe të sjelljes së të mësuarit me gjuajtje me armë dhe prezencës së lartë të armëve në duart e qytetarëve. Po ashtu, devijanca mund të sjell deri tek rebelimi ndaj normave shoqërore dhe si e tillë ajo paraqet edhe pasoja të tjera për shoqërinë.

Rritja e këtij fenomeni, padyshim se paraqet një problem gjithëshoqëror për shkak se përveç bart në vete pasoja të shumta tek individi, familja, komuniteti dhe vetë shoqëria, ndër to: izolimi social, mungesa e integrimit shoqëror, problemet me stresin dhe depresionin, shpërfaqje e panikut dhe pasigurisë sociale, humbje e besimit ndaj institucioneve të vendit, mundësi e gjakmarrjes, linçimin publik (stigma), ndërprerjen e shkollimit për fëmijët, vuajtjet e tyre, si dhe pasoja të tjera”.

Sociologu kosovar thotë për IndeksOnline se nw parandalimin e këtij fenomeni i cili ka atakuar shoqërinë shqiptare në përgjithësi, duhet të ketë involvim të të gjithë akterëve, sepse ky fenomen nuk reflekton vetëm tek individi, por në përgjithësi tek shoqëria.

“Kësisoj, është mese e nevojshme që të ketë komunikim më brenda për brenda familjes, duke i kushtuar rëndësi më të madhe komunikimit, raporteve ndërfamiljare, monitorimit më të madh të fëmijëve se me kë shoqërohen, ku e kalojnë kohën e lirë, si i kanë notat dhe sjelljet në shkollë, si dhe sa shpenzojnë kohë në rrjetet sociale dhe në cilat ueb faqe explorojnë më shumë. Pastaj, është e nevojshme që të krijohet një bashkëpunim më i mirë me komunitetin, sidomos përmes Këshillave të Fshatrave, Vendbanimeve dhe Lagjeve Urbane, në mënyrë që anëtarët e komuniteteve lokale, mos të ndihen të margjinalizuar dhe të kenë deprivim social, por të fuqizohet kohezioni social dhe kjo përmes projekteve dhe bashkëpunimit në komunitet të ketë një integrim gjithëshoqëror. Po ashtu, duhet të krijohet një besim dhe bashkëpunim më i madh me autoritetet e sigurisë në vend, duhet të ketë një reagim më të shpejtë nga organet e rendit, duke përfshirë këtu edhe patrullime më të shpeshta, mediet si agjense të socializimit, duhet të kenë një rol më të madh konstruktiv sidomos mediet sociale të cilat kanë një ndikim të madh tek gjeneratat e reja.”./Indeksonline