‘Rrokullisja e veturave të EULEX’: Ministrja Haxhiu komenton hedhjen poshtë të akuzave ndaj Konjufcës, Sveçlës dhe Zybës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj bashkëpartiakëve të saj, Ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Zëvendësministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Sali Zybës për rrokullisjen e veturave të EULEX-it në vitin 2009.

Ministrja Haxhiu në një përgjigje për Gazetën Insajderi, ka thënë se vet gjykata ka hequr dorë nga kjo përndjekje.

“Sa i përketë rastit konkrekt atë të rastit me veturat e Eulex-it kjo lëndë është duke u trajtuar që nga viti 2009, së pari vet ky institucion ka hequr dorë nga kjo përndjekje, dhe së dyti, vetëm në shtator të vitit të kaluar është parashkruar ky proces”, ka thënë Haxhiu për Insajderin.
Për dhjetë vjet po thuajse nuk ishte mbajtur asnjë seancë për këtë rast, Haxhiu ka thënë se janë mbajtur dhjetëra seanca.

“Për këtë rast janë mbajtur dhjetëra seanca, nuk është se ka kaluar pa shqyrtim”, ka shtuar ministrja Haxhiu.

Derisa nëpër gjykatat vendore, dhjetëra aktivistë kanë aktakuza për vepra të ndryshme penale, Haxhiu ka thënë se trajtimi i lëndëve ndaj tyre ka qenë shumë i shpejtë se i raste të tjera.

“Ndërkohë dhjetra raste të ndjekjes gjyqësore ndaj aktivistëve për shkak të veprimtarisë së tyre politike janë trajtuar me shumë shpejtësi, ata kanë mbajtur burg, kanë marrur gjoba e dënime. Pra nuk është se gjyqësori ka funksionuar njëjtë”, ka thënë Haxhiu.

Ndër tjera ministrja e re e Drejtësisë ka akuzuar pushtetin e kaluar duke thënë se shumë raste të korrupsionit kanë shkuar në parashkrim.

“Në vazhdimësi ne kemi pasur qasje kritike karshi institucioneve të drejtësisë për mostrajtimin e shpejtë të lëndëve penale, shto faktin që në shumë raste të cilat kanë qenë për korrupsion kanë shkuar në parashkrim, sidomos ato ndaj njerëzve të afërt me ish pushtetin”, ka thënë Haxhiu në një përgjigje për Insajderin.

Gjykata Themelore në Prishtinë, para dy ditësh ka marrë vendim që të hidhet poshtë akuza që kishte ngritur në vitin 2009 Prokuroria Komunale në Prishtinë, ndaj Glauk Konjufcës, Xhelal Zveçlës, Sali Zybës, Zgjim Hysenit dhe disa aktivistëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjykatësi i këtij rasti, Hanefi Jashari, në arsyetimin e vendimit ka thënë se gjykata disa herë radhazi ka thirrur seancë mirëpo të njëjtit nuk kanë prezantuar në seancë edhe pse janë ftuar me ftesë dhe është lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë.

Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi e ka kritikuar sistemin e Drejtësisë. Zyrtarë të lartë të kësaj partie deklaronin se drejtësia në vend është e kapur dhe punon me standard të dyfishta.