Sa janë gjasat që Kosova dhe Serbia të pajtohen për draft-statutin e Asociacionit?

Gjasat që Kosova dhe Serbia të pajtohen për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në takimin që do të zhvillojnë udhëheqësit e tyre më 2 maj në Bruksel, janë minimale ose fare, vlerësojnë Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, dhe Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian(BE) kanë konfirmuar tashmë se më 2 maj, në fokus të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë edhe çështja e Asociacionit, përkatësisht prezantimi i draft-statutit të Asociacionit, i hartuar nga Ekipi Menaxhues.

Kurti ka thënë të martën për mediat se puna e Ekipit Menaxhues, i cili përbëhet nga serbë, dhe përmbajtja e statutit nuk janë “edhe aq të njohura”.

Ai ka thënë se i ka shprehur Bashkimit Evropian gatishmërinë që ta hartojë vetë draft-statutin për Asociacionin, por se nga BE-ja i është thënë se kjo është punë e Ekipit Menaxhues, shkruan REL

“Ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësit, ndërsa unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe që gjithçka të jetë në funksion dhe në përputhje me qëllimet tona dhe parimet tona”, ka thënë Kurti.