Rrustem Mustafa: T’i japim fund armiqësisë me Serbinë dhe t’iu hapim rrugë interesave shtetërore e kombëtare

Ish – komandanti i Zonës Operative të LLapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa – Remi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se dialogu na duhet për të përfunduar armiqësinë me Serbinë dhe për t’i hapur rrugë avancimit të interesave tona shtetërore dhe kombëtare.

“Është hera e parë që aleatët tanë me theks të veçant administrata shtetërore amerikane sheh ndryshimin e kufinjëve si opsion për ruajtjen dhe ndërtimin e stabilitetit në nivel global. Ne duhet të shfrytëzojmë në maksimum këtë mundësi me qëllim avancimin e interesave tona kombëtare”, ka shkruar Mustafa.

Statusi i plotë i Mustafës:

Marëveshje me Serbinë

Dialogu na duhet për të përfunduar armiqësinë me Serbinë dhe për t’i hapur rrugë avancimit të interesave tona shtetërore dhe kombëtare. Marrëdhëniet me Serbinë për vendin tonë janë strategjike, gjithmonë duke ruajtur interesat vitale të vendit.

Është hera e parë që aleatët tanë me theks të veçant administrata shtetërore amerikane sheh ndryshimin e kufinjëve si opsion për ruajtjen dhe ndërtimin e stabilitetit në nivel global. Ne duhet të shfrytëzojmë në maksimum këtë mundësi me qëllim avancimin e interesave tona kombëtare.

Duhet braktisur mendësinë e ruajtjes së pozicioneve në bisedime, duhet të shohim përtej pozicioneve momentale e në vend të saj duhet të fokusohemi në interesat afatgjate. Duhet kapur momentumin për të tejkaluar barrierat e inferioritetit dhe të kapitalizojmë oportunitetet që na ofron aktualisht ambienti global strategjik.