Rusia: BE’ja nuk është në gjendje të zgjidhë çështjen e Kosovës

Bashkimi Europian ka ngecur, ka treguar pafuqinë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, kështu vlerësoi shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov.

Ai kujtoi se dialogu mes Beogradit e Prishtinës ka ngrirë dhe se për një periudhë të gjatë nuk vërehet lëvizje e fajin e kanë europianët sipas Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse.

“Momentalisht, nga pikëpamja jonë nuk shohim kusht të shtimit të një dinamike të re në rregullimin e çështjes së Kosovës.

Në Kosovë po vazhdon kaosi pas zgjedhor dhe lufta për pushtet. Potenciali ndërmjetësues i BE’së ka devalvuar në masë të madhe” tha Lavrov.

I pyetur se çfarë është pengesa kryesore, ai gjykon se pas të gjithave, BE’ja ende nuk është në gjendje të realizoj ndikimin tek shqiptarët e Kosovës ashtu që ata të detyrohen të kenë një qasje të arsyeshme e konstruktive ndaj bisedimeve me Serbinë.

“Për shembull, që nga 2013’ta Prishtina saboton detyrimet e pranuara në lidhje me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

Ka një vit që nuk hiqen tarifat antiserbe diskriminuese në mallrat serbe, që i vendosi pushteti kosovar”.

Lavrov u përgjigj edhe në pyetjen se si e sheh Moska zgjidhjen e nyjës kosovare, e si rëndom tha se Rusia angazhohet për arritjen e zgjidhjes së pranueshme e të qëndrueshme në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së kombeve të Bashkuara.

Ai shtoi se zgjidhje duhet të përputhet me të drejtën ndërkombëtare, e të marrë aprovimin e Këshillit të Sigurimit pasi bëhet fjalë për arritjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Lavrov shtoi se Rusia do të pajtohej vetëm me një vendim që do të ishte i pranueshëm për serbët.