Sa herë bisedoi Kusari me Radojçiqin në telefon dhe çfarë i tha ai në një mesazh? Zbulohen detajet e reja nga përgjimi

Dhe… është publikuar edhe pjesa e dytë e përgjimeve të Mimoza Kusarit – shefes së deputetëve të VV-së – me Sllavko Simiqin e Listës Serbe.

Gazetari Berat Buzhala ka treguar se si në këtë përgjim Sllavko Simiqi i thotë Kusarit se (sic) do t’i thyhej koka edhe asaj edhe kryeministrit Kurti dhe se kishte folur pesë herë me të dyshuarin për krime, Millan Radojiçiqin. Mimoza Kusari mbeti në heshtje. Ajo dje në një emision kishte thënë që kishte biseduar vetëm njëherë.

Në pjesën në vazhdim, me tone dashamirëse, Mimoza e VV-së me Sllavkon e Srpskas flasin edhe për gjëra tjera.

Aty është edhe një mesazh i Radojiçiqit të cilin ia lexon Simiqi znj. Kusari. Radojiçiqi i thotë Kusarit se PDK-ja i ka shkaktuar “më së shumti dëme në jetë” dhe se do të përballej me ta “sa të ishte gjallë”.

Dhe derisa Radojiçiqi po vazhdonte të ankohej para shefes së deputetëve të VV-së për trajtimin që po i bëhej nga shteti i Kosovës, në një moment ia thotë edhe kjo fjalë në mesazh:

“Ndoshta kam mundur unë që të publikoj komunikimin që kemi pasur unë e ti, drejtpërdrejt – kjo është ajo që të përfoli unë – por, jo, jam në rend të parë njeri që këtë nuk e bën e pastaj politikan që ju e keni nënçmuar shumë.” – shkruhet tutje në atë mesazh.

Kusari më pas interesohet se për çfarë arsyesh e kanë vënë në listë të zezë të Amerikës Radojiçiqin dhe se pse Lista Serbe nuk po ia shprehte shqetësimet ambasadorit amerikan.

Kujtojmë se Nacionale do të publikojë edhe të tjera përgjime të komunikimit mes Kusarit dhe Simiqit.

Ditën e djeshme është publikuar përgjimi i parë, e ku në mënyrë të qartë Kusari e pranonte se kishte komunikuar me të dyshuarin për krime të ndryshme Millan Radojiçiqin.