Safet Kamberi tregon se si ndodhi përleshja mes zyrtarëve të LDK-së në Mitrovicë

Një përleshje fizike ka ndodhur sot mes anëtareve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega Mitrovicë.

Kryetari i LDK-së, dega Mitrovicë, Safet Kamberi në një prononcim ka sqaruar incidentin që ka ndodhur gjatë Kuvendit zgjedhor të LDK-së.

Sipas tij, në Kuvendin zgjedhor ku ishin duke u mbajtur zgjedhjet e brendshme, të dy nëndegëve më të mëdha në Mitrovicë, Ilirida ku ishte nën monitorim të vet Kamberit dhe Haki Rugovës dhe në nëndegën e Qendrës aty ku ka ndodhur përleshja kanë qenë prezent për monitorimin e zgjedhjeve Avdullah Hoti dhe Naim Hajra.

“Jemi në kuadër të procesit zgjedhor. Kemi qenë prezent në monitorimin e dy nëndegëve të Kuvendit Ilirida dhe Qendra. Në nëndegën e Iliridës kishte prezent anëtarë të subjekteve tjera politike dhe nuk e mbajtëm Kuvendin duke e paralajmëruar si kuvend të dështuar pasi nuk kishte kushte të punës. Ndërsa në Kuvendin e Qendrës ka pasur një incident mes anëtarëve të partisë dhe nuk është mbajtur kuvendi deri në një afat tjetër kohorë”, ka thënë ai.