Salihaj: Kur po shoh kush po diplomon, po më vjen ta shqyej diplomën time para Teatrit

Ish-ministri i Arsimit, njëherësh njohës i çështjeve të arsimit në përgjithësi, Jonuz Salihaj, ka thënë se vendimi për mosakreditimin e 3 universiteteve publike nuk është vendim politik, por është pasojë e cilësisë në ato universitete.

Në Interaktiv të KTV-së, Salihaj ka thënë se është fat që Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA) ka bërë vetëm vlerësimin e programeve në fushën e akreditimit, sepse, sipas tij, pot t’i monitoronte këto programe, “besoj se do të mbylleshin tërësisht këto universitete”.

“Shekulli 21 është i teknologjisë informative, dhe Universitetet kanë nevojë për programe të reja. Universiteteve u duhet një vlerësim nga jashtë. UP-ja është më mirë, madje edhe në rajon, është më mirë se Universiteti i Tiranës, por kjo s’duhet të na gëzojë, sepse duhet të jemi shumë mirë”, deklaroi Jonuzaj, duke theksuar se drejtuesit e universiteteve duhet të vetëdijesohen dhe ndoshta vitin e ri akademik do të riakreditohen, transmeton Koha.net.

Duke folur për universitetet private në vend, Salihaj tha se në to ka shumë punë, sepse ka shumë parregullsi.

“Aty, në të kaluarën, janë pranuar studentë pa maturë shtetërore. Dihet se matura shtetërore është kusht për regjistrim në fakultet. Po të futej inspektori në ato universitete, të kontrollojë regjistrimet në të kaluarën, do të gjente shumë parregullsi. AKA do të duhej të kishte inspektorë, por këshilli i Agjencionit është i ri. Në këtë Agjencion ka pasur edhe korrupsion. Ish-kryetari i AKA-s është ndjekur për korrupsion. Megjithatë, unë u besoj raporteve të tyre, e sidomos atyre të ndërkombëtarëve”, u shpreh ish-Drejtori i Arsimit në Prishtinë.

Salihaj tha se universitetet private janë biznes i madh, ku regjistrohen zyrtarë qeveritarë për të marrë një diplomë e të marrin poste të larta.

Ai tha se i vjen turp për diplomën që e ka kur e mendon se kush ka diplomuar tash.

“Mua më vjen që të marr diplomën time e ta shqyej para Teatrit, duke parë se kush ka marr diploma”, theksoi Salihaj.

Për ndërhyrjet politike në arsim, Salihaj tha se duhet të mësohemi që të mos ndërhyjmë.

“Kemi ardhur në nivelin më të ulët, e kremi prekur dyshemenë, dhe tani është koha të ngrihemi”, tha Jonuz Salihaj.

Salihaj: Nuk i shërben Kosovës nëse tek akreditimi i universiteteve ndërhyn politika
Jonuz Salihaj, njohësi i çështjeve të arsimit, ka thënë se Kosovës nuk do t’i shërbente nëse politika ndërhyn në Këshillin Shtetëror të Cilësisë në fushën e akreditimit të universiteteve.

Pas vendimit të KShC-së për mosakreditimin e tri universiteteve publike, atij në Pejë, Prizren e Mitrovicë, Salihaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ky vendim ka ardhur për shkak të mostrajtimit me prioritet të arsimit.

“Është për të ardhur keq pasi arsimi s’po trajtohet me prioritet. Po të trajtohej mirë s’do të kishte kaq politizim. E dimë që shumica e universiteteve ishin vendime elektorale. Më 2010 ishte themeluar Universiteti i Prizrenit e pas dy vjetësh u ratifikua. Dy vjet veproi jashtëligjshëm”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk beson që ky vendim të jetë bërë njëanshëm, teksa ka shtuar se të gjitha këto universitete të mosakredituara kanë pasur problem me staf e menaxhim të jashtëm apo të brendshëm.

“Është vendim i rëndë e i vështirë për këto tri universitete, por nuk besoj se ne duhet të përzihemi në këto. Jemi këtu ku jemi, për shkak të nepotizmit. Vendimi besoj është i pakthyeshëm. S’do të ketë regjistrim të studentëve të rinj këtë vit. Duhet ta shikojmë rrjetin e këtyre institucioneve”, ka thënë ai teksa ka thënë se nuk duhet që në të gjitha këto universitete të ketë drejtime të njëjta, pasi “nuk të diplomuarit nuk po i shërbejnë tregut të punës”.

Duke komentuar reagimet e politikës pas këtij vendimi, Salihaj ka thënë se ministri i Arsimit do të duhej të linte “institucionin të kryente punën e vet”.

“Nuk i shërben Kosovës nëse këtu ndërhyn qeveria apo MASHT-i pasi tashmë jemi përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Nëse ndërhyjnë s’besoj se mund të kthehemi. Nuk besoj se studentëve u shërben një program jocilësor. Një diplomë veç në letër nuk i duhet askujt. Secila parti që vjen po e keqpërdor arsimin. Duhet të vetëdijesohemi që të mos ketë keqpërdorime të tilla”, ka deklaruar më tej ai.