Se a do të shkrihet PSD në ndonjë parti, flet Shpend Ahmeti 

Partia Socialdemokrate nuk do të shkrihet në asnjë parti. Kështu tha sot kryetari i kësaj partie Shpend Ahmeti në një intervistë për KosovaPress.

PSD në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së  në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit ka dal mjaft dobët. Ajo ka  garuar në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.

Kjo e fundit i ka ofruar mundësi partisë së Ahmetit por ky i fundit ka thënë se PSD nuk e ka në plan t’i bashkohet ndonjë subjekti tjetër politik.

Ahmeti po ashtu tha se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje edhe pse partia e tij doli dobët në zgjedhje.

Teksa flet rreth rezultatit të cilin e konsideron jo të kënaqshëm Ahmeti përjashton çdo mundësi që PSD t’i bashkohet ndonjë partie tjetër.

Sipas tij PSD do të rishikojë veprimet e saj në dy vitet e fundit për të parë se si të vazhdojnë tutje përpara si subjekt politik në vend.

Sipas kreut të PSD-së deri tek ky rezultat i dobët i PSD-së në zgjedhjet e 6 tetorit erdhi për shkak të veprimeve që i kanë bërë si parti opozitare në legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Kosovës.

Duke mos dashur ta fajësoj askënd, Ahmeti u shpreh se kjo parti për veprimet e veta u ndëshkua nga qytetari pasi u krijua bindja që PSD si parti opozitare  nuk ka vepruar mirë.

I pari i PSD-së derisa tha se nuk do jap dorëheqje në këso situatë të vështirë që ndodhet partia që kryeson ai, shprehu gatishmërinë që të lëshojë rrugë në parti me qëllim të ecjes përpara të PSD-së.

Kujtojmë që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit koalicioni AAK-PSD u renditën si subjekti i katërt në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së.

Sipas këtyre rezultateve PSD rrezikon të mbetet pa asnjë deputet në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës, dhe se si mundësi që kjo parti politike të jetë e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës është përmes Natyra Kuçit, e cila ende nuk dihet se a ka arritur t’i marr votat për të qenë deputete e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.