Si u infektuan 15 anëtarë të familjes në Gjilan me Koronavirus? Flet familjarja e tyre

Familjarja e 15 personave nga Gjilani, të infektuar me virusin Covid-19 ka treguar detaje të ngjarjes se si erdhi deri në infektimin e familjarëve përnjëherë.

“Dy nga vajzat e infektuara kanë ardhur me datën 8 mars në vendlindje nga Gjermania. E gjithë familja kemi pasur kontakte me to. Në fillim kanë menduar se është grip sezonal, mirëpo me kalimin e kohës iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe kanë shkuar që të bëjnë analizat”, ka deklaruar ajo në një prononcim për Portali.info.

Tutje, ajo ka thënë se e gjithë familja janë vetëizoluar dhe qëndrojnë në dhoma të veçanta, teksa katër anëtarë të familjes po qëndrojnë në spital.Ajo, ka treguar edhe simptomat e para, ndërsa ka thënë se tek disa familjarë gjendja momentale nuk është e rëndë.

“Gjendja momentale e familjarëve në spital nuk është shumë e rënduar, mirëpo pritet që ditëve të ardhshme të ketë ndërhyrje me frymëmarrje artificiale”, ka thënë ajo për Portali.info.Kujtojmë se deri më tani numri total i të prekurve me Koronavirus në vendin tonë ka arritur në 61.