Seanca e jashtëzakonshme për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit, pritet të mbahet në ora 18:00

Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot prej orës 18:00 do të mbahet një Seancë e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

Siç ka njoftuar kryeministria, në këtë seancë do të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës.

“Marrja e vendimit për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës”.

“Në bazë të ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Republikës së Kosovës me 31 dhjetor 2021, ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ky vendim i është dërguar Kuvendit të Republikës së Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës, përcjell lajmi.net.

Siç thuhet në njoftim, vendimi mbështetet në memorandumin që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka nënshkruar me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit bashkë me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Ndryshe, mbajtjen e kësaj seance deri në këto momente e kanë mbështetur, LDK-ja dhe AAK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentarë të LDK-së, Arben Gashi ka njoftuar se e mbështesin këtë kërkesë.

“E nisim vitin me një lajm fantastik! Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e mbështetë kërkesën e Qeverisë që Parlamenti të mbajë, sot, seancë të jashtëzakonshme, për lejimin e angazhimit të Ushtrisë së Kosovës në Misione Paqeruajtëse në kuadër të ushtrive më të fuqishme të botës. Jemi të bindur se secili ushtar i Kosovës do ta nderojë atdheun dhe flamurin tonë, dhe Kosovës do t’i kthehet faqebardhë”, ka shkruar Gashi në Facebook, përcjell lajmi.net.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se AAK do të të votojë pro dërgimit të ekipeve të FSK-së, në misione të përbashkëta paqeruajtëse me aleatin historik SHBA.

“AAK do të votojë PRO dërgimit të ekipeve të FSK-së në misione të përbashkëta paqeruajtëse me aleatin historik ShBA! Kjo është njëra ndër të arriturat e mëdha të FSK-së në rrugëtimin e saj drejt një ushtrie të standardeve të NATO-s, që për Republikën e Kosovës është synim i përhershëm”, ka shkruar Haradinaj.