Sekretari i OVL UÇK-së i reagon ashpër këshilltarit të kryeministrit Kurti

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të luftës të UÇK-së, Faton Klinaku ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Shkëlzen Gashit,këshilltarit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, shkruan Fokusi.info.

Klinaku e ka quajtur Gashin bashkëpunëtor të Natasha Kandiçit, i cili deklaroi se Dick Marty ia do të mirën Kosovës dhe UÇK ka kryer krime lufte.

Statusi i plotë i Klinakut:

1. Dihen botërisht, dhe atë me vite të tëra, akuzat antishqiptare të bashkëpunëtorit të Natasha Kandiqit, Shkelzen Gashi, i cili ka deklaruar dhe deklaroi edhe sot se Dick Marty ia do të mirën Kosovës dhe UÇK ka kryer krime lufte. Për këtë njeri, e ka ditur dhe e di edhe Albin Kurti, sepse dikur e ka pasur bashkëpunëtor të ngushtë e tani e ka këshilltar kryesor në kryeministri.

2. Fajet kryesore i kanë pasur dhe i kanë organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, që nuk e kanë hetuar asnjëherë këtë njeri të gjithëdijshëm, i cili i di edhe ku dhe kur janë kryer ato krime.

Ndërkaq, sot këshilltari i Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi, e ka ripërsëritur deklaratën e tij të dikurshme se Dick Marty nuk është anti shqiptar. Ai ka thënë se pjesëtarë të UCK-së kanë kryer krime ndaj civilëve serbë.

“Krimet që janë kry prej pjesëtarëve të armatosur të UCK-së ndaj civilëve serbë”, thotë Gashi.

“Ku unë them që Dick Marty nuk është anti-shqiptar, përkundrazi, Marty e ka publiku një raport, ku flitet për krimet që pjesëtarë të UCK-së, kanë kry ndaj civilëve të pafajshëm”, ka thënë Gashi në frontal, përcjell Periskopi.

“Dyshohet që i kanë kry…”, ndërhyn gazetari.

“Po dyshohet sepse i kemi njëmijë civilë serbë të vrarë”, ia kthen Gashi.

Video përmbledhëse e këtyre deklaratave që po qarkullon në internet, më poshtë: