Selmanaj: Qeveria të marrë vendim që këstet e kredive të pezullohen për afat tremujorë

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që në afat tremujorë të bëjë pezullimin e të gjitha pagesave/kësteve të kredive që qytetarët ua kanë borxh bankave komerciale në Kosovë.

Kjo masë sipas tij duhet të ndërmerret me qëllim që qytetarët sadopak të kenë rezerva financiare për blerjen e gjërave elementare ushqimore gjatë kësaj periudhe.

Ndryshe, Kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka konfirmuar vendimin e fundit të Qeverisë, lidhur me korona-virusin.

“Mbyllja e kafiterive, restoranteve, mbyllja e tregjeve. Reduktohet stafi në çdo institucion publikë, përpos shëndetësisë dhe sigurisë, Kompanitë private urdhërohen që punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia…”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë do të kontrollohen dhe do të vetëizolohen në një periudhë prej 15 ditëve.

“Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mbyllen kufijtë tokësor për ata që hyjnë në Kosovë përveç për shtetasit e Kosovës. Qytetarët do të kontrollohen dhe do të vetëizolohen për 15 ditë”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Tutje, Qeveria ka vendosur që të mbyllen të gjitha kafiteritë dhe restorantet dhe aktivitetet kulturore e sportive.“Qeveria ka vendosur që të mbyllen kafet dhe restorante, të gjitha qendrat tregtare dhe të pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive në të gjithë Kosovën”, shtoi Kurti.