Serbia tërhiqet nga mbajtja e referendumit në Kosovë, ky është vendimi i fundit

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Serbi ka marrë vendim sipas të cilit votuesit nga Koosva do të mund të votojnë në vendvotimet në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë dhe Vranjë.

Në gjithsej 45 vendvotime do të shtohen emrat e votuesve nga Kosova të cilët mund të votojnë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë, përcjell lajmi.net.

Sipas asaj që shkruhet në Novosti, ky vendim ka ardhur pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës kundër mbajtjes së këtij referendumi në Kosovë.

Në Vranjë, siç shkruan Novosti do të votojnë votuesit nga komuna e Vitisë, Gjilanit, Kamenicës dhe Novobërdës. Në Novi Pazar votuesit nga Istogu, Klina, Peja, Prizreni dhe Rahoveci. Në Kurshumli votuesit nga Fushë Kosova, Lipjani, Prishtina, Ferizaji, Shtërpca dhe Obiliqi. Ndërsa në Rashkë ata të Vushtrisë, Zveçanit, Zubin Potokut, Mitrovicës dhe Leposaviqit.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar një rezolutë kundër mbajtjes së referendumit në Kosovë, por duke lejuar që serbët e Kosovës të votojnë me postë.