Shaip Kamberi: Synojmë t’i marrim tri mandate

Bartësi i listës së Alternativës Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar, Shaip Kamberi, pret që shqiptarët e Luginës së Preshevës do të marrin tri mandate në zgjedhjet e sotme për Kuvendin e Serbisë.

Kamberi që i prin listës së bashkuar të partive shqiptare, ka deklaruar se dalja e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Serbi është e kënaqshme.

“Synimi i listës sonë ishte që me një angazhim të përbashkët të më shumë subjekteve politike të kemi përfaqësim më të lartë prej një sa kemi pasur deri më tani, të kalojmë në tre mandate deputetësh. Dalja deri tash është në rregull, akoma nuk janë zyrtare shënimet diku mbi 30 për qind, llogaritet deri në 50 për qind mund të jetë dalja e përgjithshme, që do të thotë ne me siguri mund të presim dy mandate deputetësh”, tha ai.

Me bashkimin e partive politike shqiptarë të Luginës, Kamberi tha se synojnë që të rrisin përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

“Synimet reale tona kanë qenë që t’i kemi tri mandate, megjithatë të shohim se sa do të ketë mobilizim të përgjithshëm të njerëzve. Për shkak të pandemisë, një numër i madh i njerëzve tanë është gjendur në diasporë dhe nuk kanë mundur të kthehen në Luginë”, tha ai.

Nëse do të marrë mandatin e deputetit, Kamberi ndër çështjet e para që do të ngritë në Kuvendin e Serbisë thotë se është çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione publike dhe shtetërore.

“Çështjet e përfaqësimit të shqiptarëve, kemi një përfaqësim dukshëm më të ulët sasa struktura jonë etnike nacionale në Komunën e Bujanocit, Preshevës, në institucionet publike dhe shtetërore. Me Kushtetutën e Serbisë kjo e drejtë është e garantuar, por nuk respektohet”, tha ai.