Shala: Do të votojë kundër vazhdimit të mandatit të Speciales

Haxhi Shala, deputet i AAK-së, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se vota e tij do të jetë kundër vazhdimit të mandatit të Gjykatës Speciale, nëse ajo sillet në Kuvend për votim.

Shala është njëri nga personat e ftuar nga Specialja, si i dyshuar. Ai ka bërë të ditur se në shtator do të shkojë për intervistim në Hagë.

“Para 3-4 ditësh kam marrë një ftesë nga hetuesit e Gjykatës Speciale në Kosovë, aty jam si i dyshuar dhe është data 8 shtator. Por, mbetet të shihet se kur na konvenon të shkojmë atje. Në ftesë shkruhet si i dyshuar dhe s’ka asnjë detaj tjetër. Kërkohen të gjitha dokumentet të sillen me vete dhe të dorëzohen në Hagë dhe kjo është standarde për të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së”, ka thënë Shala.

Ai thotë se ende nuk e di se a do të mbrohet në heshtje, apo jo, porse një vendim të tillë do ta marrin në Hagë në konsultim me avokatin.

“Të shikojmë se si po zhvillohen ngjarjet në Hagë dhe aty për aty me avokatin do të marrim vendim se si do të veprojmë. Duhet t’i përgjigjemi ftesës dhe të shohim hapa të tjerë gjatë intervistimit. Nuk jam befasuar, e kam prit një gjë të tillë. S’kemi çka të befasohemi, është bërë për UÇK-në dhe ne do të thirremi. Asgjë nuk kam për të thënë përderisa të shkoj atje dhe të shoh se për çfarë jam i ftuar. Deri më tash janë disa avokatë të certifikuar, është Arton Çerkini. Ka avokatë atje që ofrojnë shërbime dhe ndoshta duhet ta marrë ndonjë avokat që e ofron Prokuroria në Hagë. Nuk kam vendosur ende se çfarë do të bëj, por ai vendim merret brenda Prokurorisë gjatë intervistimit”, ka thënë ai.

Ai thotë se do të votojë kundër vazhdimit të mandatit të Speciales, sepse e konsideron të padrejtë si Gjykatë.

“Qëndrimi ynë ka qenë kundër edhe kur është votuar Gjykata. Unë nuk do të votoj për vazhdimin e kësaj, e konsideroj se është e padrejtë. Nëse sillet në Kuvend për vazhdimin e mandatit të Gjykatës vota ime është kundër. Deputetët duhet të vendosin vet se si duhet të veprojnë. Vota ime, sido që të jetë, prapë se prapë do të jetë kundër vazhdimit të mandatit të kësaj Gjykate. E ka marrë Kosova një obligim ndërkombëtar, por bashkësia ndërkombëtare është duke e neglizhuar. Sepse po shihet se nuk ka asgjë nga pretendimet e Dick Martyt”, ka thënë Shala.

Ai thotë se dyshon në të gjitha aktakuzat e Speciales.

“Nuk kemi ende aktakuza, kemi vetëm intervistime. Përderisa nuk ka të konfirmuara, normal se duhet të ketë, por deri më sot nuk kemi aktakuza. Dyshoj në të gjitha aktakuzat që pretendon Prokuroria, por për të gjitha ato që mund të jenë, se me të vërtetë nuk ka asgjë nga ato që pretendohen”, është shprehur ai.