Shala: Kërkojmë nga Kurti të na informojë detajisht për aferën korruptive të Martin Berishajt

Lidhur, me rikthimin e kësaj pike në rend të ditës, ka folur deputeti i PDK-së, njëherit ish-zv.kryesues i Komisionit Hetimor për Energji Ferat Shala.

Ai, ka thënë se siç dihet tashmë komisioni ka përfunduar punën dhe të gjeturat janë në instanca zyrtare shtetërore.

Por, shton se prej asaj kohe nuk dihet se çfarë ka ndodhur me procesin dhe se për këtë do t’i kërkojnë përgjegjësi kryeministrit Kurti.

“Ne do të kërkojmë një përgjigje prej kryeministrit dhe kërkohet nga deputetët që e kane fut si pikë të rendit të ditës që të kemi informacion për të gjithë procesin dhe relacionin e një zyrtari të lartë shtetëror, në këtë rast të një diplomati në lidhje me të gjitha dyshimet të bazuara apo të pabazuara, për faktet si me thënë gjithë aferën e Martin Berishës. Në këtë relacion ne ende nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar nga kryeministri qoftë për punën e tij, qoftë për mos punën e tij, qoftë për aferat korruptive, qoftë për veprimet tjera dhe ne po presim që do të duhej të kishim një informacion të detajuar nga kryeministri”, ka deklaruar Shala për Front Online.

Sipas tij, mazhoranca i ka ikur kësaj teme dhe ky është shkaku që kjo pikë është bartë në sesionin vjeshtor.

Duke shtuar se Qeveria e ka për detyrë t’i informojë parlamentarët dhe qeveritarët për kërkesat që i bëhen.

“Kjo është kërkesë e para disa muajve, por për shkak se mazhoranca i ka ik kësaj teme si me thënë korruptive dhe ka ardhë në këtë sesion si rezultat i vonesave dhe mosrealizimit të planit legjislativ. Është proces legal dhe kërkesat dhe sqarimet para qytetarëve dhe parlamentarëve Qeveria i ka obligim, se në çfarë shkalle do të kërkohet varet pastaj prej subjekteve dhe deputetëve individualisht, por unë besoj që është temë e hapur, e pambyllur dhe Qeveria normalisht ka insistuar duke krijuar situata tjera dhe t’i harroj aferat korruptive”, ka shtuar deputeti Shala.