Shala: Politikat e Kurtit e kanë degraduar ekonominë, kemi rritje të importeve të mallrave serbe

Çmimet kanë pësuar rritje në çdo sektorë.

Jeta është vështirësuar për shumë familje kohëve të fundit si shkak i çmimeve të larta.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur së në muajin qershor në shumicën e produkteve bazë është shënuar rritje e çmimeve prej 2.8 për qind krahasuar me muajin qershor të vitit të kaluar.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh anëtar i Komisionit për Ekonomi, thotë se situata po degradon në dëm të ekonomive familjare.

Ai në një intervistë për Front Online, thotë se rezultat i kësaj gjendje janë politikat e këqija të kësaj qeverie.

“Është e vërtetë që situata po degradon në dëm të ekonomive familjare dhe në dëm të vështirësive për ekonominë e çdo qytetari në Kosovë, si rezultat i dy faktorëve. Por rezultati kryesor bazik janë politikat e këqija të kësaj qeverie të cilat në parim e kanë shumëfishuar presionin, e kanë dëmtuar mënyrën e të bërit biznes dhe në njëfarë forme e kanë sjell ekonominë e vendit në një situatë të cilën e po e shohim tashmë”, tha ai për Front Online.

Në pesë vitet e fundit, Shala thotë se prodhimi vendor ka rënë dukshëm, ndërsa po furnizohemi me mallra serbe.

“Nëse e sheh prodhimin vendor krahasuar me secilin muaj në pesë vitet e fundit kemi rënie të kapaciteteve të prodhimeve vendore, dhe kemi një rritje të lartë të importeve, nga mallrat serbe kryesisht, por edhe të tjerat të cilat nuk kanë qenë në këtë shkallë çfarë janë sot”, tha ai për Front Online.

Ligji për Paga/ Shala: U goditën sektorët e sigurisë dhe arsimit

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala për Front Online thotë se Ligji për Paga ka goditur më së shumti sektorin e sigurisë dhe atë të arsimit.

Ai thotë se ky ligj tregon logjikë jo të shëndoshë.

“Sektorët më të goditur me Ligjin e Pagave kanë qenë sektorët e sigurisë dhe arsimit të lartë, është habitshme cila është logjika e shëndoshë që të godasësh sektorët më primar të funksionimit të shtetit që është sektori i sigurisë, policisë, dhe trupave të tjera të mbrojtjes”, u shpreh ai.

Për këto pakënaqësi të sindikatave, Shala thotë se nuk kanë gjetur mirëkuptim te pushteti.

“Nuk kemi gjetur mirëkuptim, as në komisione, as në nivel grupesh parlamentare dhe realisht kërkesat sindikale janë krejtësisht legjitime. Goditja me Ligjin e Pagave ka qenë dhe do të mbetet njëra nga goditjet më jomeritore për këto kategori që i kanë shfrytëzuar”, deklaron Shala.

Ferat Shala: Trepça jashtë kontrollit, menaxhmenti është i paligjshëm

Pakënaqësi të punëtorëve ka edhe në Ndërmarrjen Trepça, për shkak të kushteve në të cilat ata po punojnë.

Ferat Shala nga PDK për Front Online thotë se ka shkelje të mëdha në atë ndërmarrje, pasi sipas tij po menaxhohet me ushtrues detyre.

“Shqetësuese është situata në ndërmarrjen Trepça, është shqetësuese në dy nivele. Ka paligjshmëri dhe shkelje të mëdha në kuptimin juridik sepse i tërë menaxhmenti është ushtrues detyre, i tërë menaxhmenti është i paligjshëm, nuk ka legjitimitet ky menaxhment me udhëheq një gjigand industrial sepse ka kaluar çdo afat ligjor si ushtrues detyre”, tha ai për Front Online.

Deputeti Shala thotë se situata në “Trepça” është komplet jashtë kontrollit.

“Kemi një situatë krejtësisht jashtë kontrollit, juridikisht dhe ekonomikisht në Trepçë”, tha ai për Front Online.

Deputeti Shala: Mosbashkëpunimi me ndërkombëtarët rritë rrezikun për vizat

Kosova viteve të fundit është përballur me ikje të madhe të të rinjve nga vendi për një jetë më të mirë.

Për ikjen e qytetarëve, deputeti Ferat Shala nga radhët e PDK-së, po e lë fajtor Qeverinë.

“Moshartimi i politikave investive në vend, moshapja e vendeve të reja të punës meritore, goditja me ligjin e pagës, goditja me ligjin për tatimin në pronë, dhe me politikat tjera ndëshkuese, institucionale që qeveria po ndërmerr, sigurisht që ka ndikuar në migrimin e të rinjve, dhe migrimin e fuqisë punëtore dhe ikjen e investitorëve serioz vendor dhe ndërkombëtarë”, thekson ai.

Shqetësuese i konsideron edhe deklaratat nga nivelet e larta ndërkombëtare për rishqyrtim të vendimit të vizave për Kosovën.

E kjo sipas Shalës vjen si pasojë e veprimeve të Qeverisë e cila nuk është bashkëpunuese me aleatët.

“Kjo është vërtetë shqetësuese për këto politikat e qeverisë. Parimisht hapat institucional politik në marrëdhëniet ndërkombëtare, qoftë të niveleve ndërkombëtare, presidencë, ministria e jashtme nuk janë adekuat, nuk janë komunikues, nuk janë të harmonizuar me kërkesat evropiane dhe properëndimore, nuk janë në bashkërendim me SHBA-në, dhe ne kur kemi këto në disproporcion mendimesh, idesh, harmonish, dhe konsultimesh, sigurisht që shkalla e rrezikut rritet”, tha ai për Front Online.

Vendimi për librat/ Shala: I paarsyeshëm, era po i vjen aferë korruptive

Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala në një intervistë për Front Online ka komentuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për blerjen e librave.

Ai e konsideron të paarsyeshëm këtë vendim për të cilin thotë se ka të bëjë me aferë korruptive.

“Sot rikthimi në një periudhë krejtësisht të errët, kur prindërit, nxënësit dhe ata që shpesh herë nuk i kanë mjetet financiare, të vrapojnë nëpër tregje të librarive dhe të udhëtojnë dhe shpenzojnë shumëfish më shumë është krejtësisht i paarsyeshëm, sinqerisht era i vjen afera të ndryshme korruptive në dëm të buxhetit, në dëm të ekonomive të familjarëve, në dëm të interesave”, thotë deputeti Shala.