Shala: Veprimet e Qeverisë më kriminale se deklarata e Klinakut

Asdren Shala nga PSD-ja ka theksuar se gjuha e përdorur nga Faton Klinaku nuk është e pranueshme dhe e shpjegoi si një reagim ndaj situatës aktuale ku sipas tij, veteranët e luftës janë të linçuar dhe degraduar nga Qeveria.

Partia Socialdemokrate (PSD), ka shprehur qartazi distancën e saj nga deklarata e fundit e Faton Klinakut, i cili ushtron detyrën e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Klinaku kishte deklaruar se “Më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Klinaku nga OVL-UÇK: Më parë e vras Albin Kurtin, se sa iku nga Kosova
Asdren Shala, një përfaqësues i lartë i PSD-së, është shprehur hapur në emisionin “Debat Plus” lidhur me këtë çështje.

Ai ka deklaruar qëndrimin e tij se PSD distancohet plotësisht nga gjuha e përdorur nga Klinakut në deklaratën e tij.

“Partia Social Demokrate distancohet nga një gjuhë e tille, pavarësisht që zoti Klinaku në gjykimin tim është një deklaratë nga mllefi pra unë mendoj që ai është pishman tash. Pra pse ka ardhur ky mllef nga zoti Klinaku ka ardhur pas një linçimi pas një degradimi që është bërë nga Qeveria edhe në mënyrë zyrtare edhe në mënyrë jozyrtare veteranët e luftës, kategoritë më të shenjtë pra veteranët e UÇK-së”, ka deklaruar Shala.

Shala ka theksuar se, megjithëse nënkuptohet se Klinaku është shprehur nga mllefi, ai mendon që kjo deklaratë është një pasoje e një situate.

Ai ka theksuar se ky mllef dhe gjuha e përdorur nga Klinaku mund të shpjegohen si reagim ndaj një linçimi të presupozuar që veteranët e UÇK-së, janë përballur me të gjatë kohës së fundit.

“Pra kjo gjuhë e Klinakut nuk është e pranueshme por është pasojë e një veprimi më kriminal, ma kriminal e Qeverisë sesa e zotit Klinaku. Personat që kanë reaguar shumica e tyre “i shqetëson” deklarata ose kërcënimi ndaj kryeministrit Kurti. Në rastin konkret Klinaku po kërcënojka disa analistë në Kosovë paraardhësit e tyre kanë vrarë nuk kanë kërcënuar hiq, nën regjimin e Serbisë”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se kjo gjuhë nuk është e pranueshme në debatet politike, por duhet të shihet si rezultat i veprimeve të Qeverisë, të cilat ai i cilësoi si “më kriminale se veprimet e Klinakut”.