Shatri: Vërejtja në Ligjin e Pagave është vlera e koeficientit

Zyrtari ligjor i SBAShK-ut, Blendor Shatri, ka thënë se kanë vërejtje në Ligjin e Pagave. Sipas tij, vërejtja kryesore është vlera e koeficientit.

“Ne si SBAShK, në momentin që është hapur diskutimi publik për Ligjin e Pagave, kemi dërguar propozimet dhe kërkesat tona për ndryshimet në draft-ligjet e pagave. Disa prej vërejtjeve të para që ne i kemi për këtë ligj është vlera e koeficientit, me draf-ligjin e pagave vlera e koeficientit parashihet të caktohet me ligjin e buxhetit çdo vit, e jo të caktohet me këtë ligj të shumëpritur, ku në ligjin për të cilin ne po diskutojmë janë të parapara vetëm vlera e poenëve për vendet e punës, të cilat ne i mbulojmë që nga çerdhet deri në universitet si dhe pjesën e performuesve të kulturës që janë në kuadrin tonë”, ka thënë Shatri në Info Magazinë.

Përveç ndryshimit të vlerës së koeficientit, Shatri tha se SBAShK-u ka kërkuar edhe ndryshim në shtesat.

“Përveç vlerës së koeficientit, ne kemi caktuar që vlera fillestare e koeficientit të jetë 130 euro e pastaj të rritet në bazë të parametrave për rritjen e pagave që është rritja ekonomike, inflacioni e të tjera, kemi kërkuar të ndryshohen edhe shtesat që janë paraparë për arsimin para universitar, pasi me shtesat që janë paraparë me ligjin e pagave parashihet një shtesë për provimin shtetëror të profesionit. Do të ishte e udhës që shtesat të formulohen në bazë të gradimeve që parashihen me këto udhëzime, e jo me provimin shtetëror të profesionit. Përveç këtyre, kemi vërejtje edhe te barazia për punën e njëjtë e pagën e njëjtë, si dhe kemi vërejtje edhe te bashkëpunimi”, ka shtuar ai.