Forcat amerikane njoftuan të hënën se janë duke i hetuar raportimet për rrëzimin e një aeroplani në territorin e kontrolluar nga talibanët në Afganistan.
Zëdhënësja e ushtrisë amerikane, Beth Riordan, tha se ende është e paqartë se aeroplani i cilës kompani ka qenë i përfshirë në këtë aksident dhe refuzoi të japë komente shtesë në lidhje me rastin.
Megjithatë, nga disa pamje të publikuara në rrjetet sociale duket se aeroplani i rrëzuar ishte i tipit “E-11A”, i cili përdoret për vëzhgime nga ushtria amerikane, shkruan “Associated Press”, transmeton Gazeta Express.
Më herët, zyrtarët afganë deklaruan se në këtë aksident është përfshirë aeroplani i kompanisë “Ariana Airlines”. Megjithatë, kjo kompani më pas i mohoi këto raportime.
Arif Noori, zëdhënës i guvernatorit provincial, tha se aeroplani u rrëzua rreth orës 13 e 10 minuta sipas kohës lokale në Deh Yak, rreth 130 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Kabul.
Rajoni malor i Ghazni-t shtrihet pranë maleve Hindu Kush dhe është shumë i ftohtë gjatë dimrit. Talibanët e kanë nën kontroll këtë pjesë dhe gjysmën e territorit të Afganistanit.
Industria e aviacionit në Afganistan kaloi nëpër kohë të vështirë gjatë regjimit të talibanëve, kur fluturimet e kompanisë së vetme afgane lejoheshin vetëm drejt Arabisë Saudite.