SHBA nis në Ukrainë raketat më të avancuara në botë

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të dërgojnë në Ukrainë sisteme të mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë, më të avancuarat e nisura deri tani drejt Kievit.

Mediat vendase thonë se presidenti Joe Biden pritet ta bëjë zyrtarisht njoftimin këtë javë. Ukraina ka kërkuar me insistim prej disa kohësh tashmë mbrojtje ajrore, teksa sulmet ruse vazhdojnë të bëjnë viktima mes civilëve e të godasin edhe infrastrukturën e energjisë, duke shkaktuar blackout-e masive.

Duket se Uashingtoni dhe aleatët do të shohin spektrin e plotë të kapaciteteve mbrojtëse që kanë në dispozicion, në funksion të përmbushjes së nevojave për Ukrainën.

“Ne do të vazhdojmë të konsultohemi me partnerët tanë ukrainas se si t’i integrojnë më mirë sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore. Ndërkohë, ne e kuptojmë se me kërcënimin ajror që Rusia paraqet ndaj Ukrainës, mbrojtja ajrore vazhdon të jetë një temë prioritare diskutimi kur bëhet fjalë për ndihmën mbi sigurinë. Ndaj do të vazhdojmë të gjejmë mënyrat më të mira për të mbështetur Ukrainën në përpjekjet e saj për të mbrojtur popullatën dhe infrastrukturën e saj”, tha Sekretari i shtypit i Pentagonit, Gjeneral brigade Pat Ryder.

Në një reagim të menjehershem ndaj këtij lajmin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha nëse SHBA dërgon sisteme Patriot për Kievin, ato do të ishin një objektiv legjitim për sulmet ruse kundër Ukrainës.