Shefi i OBSH-së: Jam shumë i zhgënjyer që Kina ende nuk ka autorizuar hyrjen ekspertëve për të shqyrtuar origjinën e COVID-19

Shefi i OBSH-së deklaroi se ishte “shumë i zhgënjyer” që Kina ende nuk ka autorizuar hyrjen e një ekipi ekspertësh ndërkombëtarë për të shqyrtuar origjinën e COVID-it.

“Sot, ne mësuam se zyrtarët kinezë nuk kanë nxjerrë ende lejet e nevojshme për mbërritjen e ekipit në Kinë”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë shtypi në Gjenevë.

“Unë kam qenë në kontakt me zyrtarë të lartë kinezë dhe e kam bërë edhe një herë të qartë se ky mision është një përparësi për OBSH-në”.

Kurse, disa anëtarë të ekipit ndërkombëtar ishin nisur për në Kinë, ku shpërthimi i virusit u raportua për herë të parë në qytetin Wuhan, dhe pritej të fillonin punën të martën.

Kina ka mohuar se është përpjekur të fshehë lidhjet e saj me pandeminë që u shfaq në fund të vitit 2019, megjithëse disa analistë dhe personalitete, duke përfshirë Presidentin amerikan Donald Trump, kanë hedhur dyshime rreth veprimeve të Pekinit gjatë shpërthimit të koronavirusit.

Mike Ryan, shefi i emergjencave në OBSH, tha se agjencia me seli në Gjenevë ua kishte theksuar në mënyrë të veçantë zyrtarëve kinezë natyrën e rëndësishme të misionit.

“Ne kemi besim dhe shpresojmë se kjo është vetëm një çështje logjistike dhe burokratike që mund të zgjidhet shumë shpejt.

Ne kemi besim se me mirëbesim mund t’i zgjidhim këto çështje në orët e ardhshme”, tha Ryan.

Ndërkaq, ditëve të fundit, Pekini është përpjekur të formulojë një skenar të ri për çështjen se kur dhe ku filloi pandemia.

Diplomati i lartë kinez Wang Yi tha se “gjithnjë e më shumë studime” tregojnë se ajo u shfaq në disa rajone.

Por, Ryan i ka quajtur këto komente “tepër spekulative”.