Shefja e BE’së e zhgënjyer me Kuvendin për mosratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Shefja e BE’së në Kosovë, Nataliya Apostolova është shprehur e zhgënjyer për mosratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare dje në Kuvendin e Kosovës.

Apostolova ka shkruar në Twitter se dështimi për të ratifikuar marrëveshjen në kuadër të programeve të BE’së për fiskalizim dhe dogana e pamundëson Kosovën në modernizimin e tyre, raporton Gazeta Express.

Dje në seancën e Kuvendit të Kosovës ishte paraparë që të bëhet Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, po ashtu edhe Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020” por që të njëjtat nuk u ratifikuan.