Shënohet 20 vjetori i masakrës së Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit dhe Llabjanit

Në Akademinë përkujtimore të mbajtur për masakrat në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, të kryera nga forcat serbe këtu e 20 vjet më parë u tha se Kuvendi i Kosovës do ta nxjerrë një rezolutë që dënon krimet e serbëve në Kosovë.

Në këtë rast, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se heshtjes ndërkombëtare dhe mohimit serb duhet t’i përgjigjemi si shtet, duke marrë të gjitha masat në dokumentimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe duke krijuar kështu bazën faktike për t’ia hapur rrugës Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Serbisë në Kosovë.

Veseli, tha se janë 13 500 qenie të pafajshme njerëzore, të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, të cilët kërkojnë drejtësi.

Ai ka thënë se shteti serb, edhe dy dekada pas luftës, nuk po pushon së provokuari dhe cenuari shtetin tonë. Sipas tij, ky duhet të jetë mesazh edhe për bashkësinë ndërkombëtare, e cila vetëm dy dekada më herët, pikërisht për të larguar një rrezik të tillë gjenocidi, kishte intervenuar ushtarakisht.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se mosdënimi i atyre që kryen masakra në Kosovë është diskriminim dhe fyerje e dinjitetit të viktimave të luftës.

“Kosova ka pasur udhëtimin e vetë të suksesit, lirisë dhe pavarësisë, por edhe sot kur pritet në javët e ardhshme të shënojmë 20-vjetorin e fitores mbetët brengë e madhe për të gjithë ne si institucione të Kosovës dhe si shoqëri, por mbi të gjitha në ndërgjegjen e bashkësisë ndërkombëtare që edhe sot e kësaj dite pas 20 viteve me mbi 400 masakra të kryera askush nga serbët nuk është dënuar dhe kjo është padrejtësi, diskriminim dhe fyerje e dinjitetit të viktimave”, ka thënë Thaçi në akademinë përkujtimore kushtuar masakrave në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan të Pejës.

Presidenti Thaçi në këtë akademi ka përmendur rezolutën e propozuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, për krimet e serbëve në Kosovë.

“Shteti i Kosovës dhe kryetari i Parlamentit, të gjithë pa dallim do ta nxjerrim rezolutën që dënon krimet e serbëve në Kosovë. Kjo rezolutë do të përcjellët drejtë implementimit të plotë, që ata që vranë mbi 13 mijë njerëz të dënohen”, është shprehur Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se më nuk do të lejojnë që të mohohen krimet e serbëve të kryera në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se ka ardhur koha që do t’i mbrojnë me ligj familjet e të rënëve për liri.

“Do ta mbrojmë me ligj sakrificën, dhimbjen, të drejtën e viktimave. Nuk do të lejojmë mohimin e krimeve. I kemi dhënë shans të gjitha drejtësive deri më tani që ta bëjnë këtë gjë, si UNMIK-ut ashtu edhe EULEX-it”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se vetëm që një vit Kosova është e pavarur në sistemin gjyqësor. “Mos harroni që vetëm qe një vit Kosova është e pavarur në gjyqësor. Tani duhet vendosur edhe masë ligjore dhe jo vetëm me fjalë e teori. Nuk mund të mohohen këto viktima”, ka thënë Haradinaj.