Shënohet 24-vjetori i “Epopesë së Dukagjinit”

Sot shënohet 24-vjetori i betejës së Gllogjanit, e njohur ndryshe si “Epopeja e Dukagjinit” që u zhvillua më 24 mars 1998, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt i bëri ballë rrethimit të forcave pushtuese serbe në Gllogjan. Me këtë betejë fillon lufta frontale ndërmjet forcave të UÇK-së dhe atyre serbe në Zonën Operative të Dukagjinit.

Para agimit të 24 marsit të vitit 1998, fshati Gllogjan i komunës së Deçanit ku jetojnë familja Haradinaj sulmohet nga forcat policore serbe. Qindra forca te armatosura serbe fshehurazi filluan te marshonin përmes fshatrave drejt Gllogjanit. Serbët formuan unaza rrethimi rreth Gllogjanit.

Cak i sulmit ishte familja Haradinaj e cila gjendej në shtëpi. Sulmi filloi disa orë më vonë, derisa forcat policore kishin vëzhguar lëvizjet në familjen Haradinaj. Sulmi nisi mbi Daut Haradinajn, i cili derisa po kthehej për në shtëpi, një makinë policie doli nga fshati dhe tentoi ta kapte, mirëpo reagimi i Dautit nisi me rezistencë ushtarake. Dy policë dolën nga makina dhe hapen zjarr në drejtim të tij.

Forcat e tjera serbe sulmuan me shpejtësi tani me makineri ushtarake. Pas pak kohe, një forcë speciale serbe arriti të hyjë brenda në oborr të shtëpisë së Haradinajve. Pas kundërsulmit edhe me granata dore kjo forcë speciale u tërhoq.

Kështu, beteja filloi të bëhet edhe më e ashpër kur helikopterët serbë ishin angazhuar që të vëzhgonin nga qielli por nuk sulmuan. Luftëtarët e UÇK-së tanimë kishin zënë pozicionet e tyre dhe filluan të sulmonin forcat serbe nga shumë anë. Më pastaj, forcat serbe sulmuan edhe nga helikopteri i cili qëlloi dy breshëri me eksploziva qe shpërthyen në dhe’.

Forcat serbe, të befasuara nga rezistenca e fuqishme e UÇK – së, kishin zënë rob disa fshatarë të Gllogjanit, por edhe nxënësit e shkollës fillore “Hasan Prishtina” duke përdorur kështu “murin e gjallë” për lëvizje.

Kështu, forcat policore dhe ushtarake serbe u tërhoqën nga Gllogjani me humbje të madhe si me të vrarë ashtu edhe më dëme në tekniken ushtarake. Gllogjani dhe familja Haradinaj u bë bazë e rëndësishme e UÇK-së.

Për të shënuar këtë përvjetor, sot në Kompleksin e Dëshmorëve në Gllogjan bëhen homazhe si dhe mbahet manifestimi qendror që shënon këtë ditë.