Shfaqet një rast me ethe të minjve në Kosovë, alarmohet për kujdes

Instituti i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje për kujdes për të shmangur ethet e minjve.

Duke pasur parasysh se ky Institut përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, ata thonë se për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve.

Sipas tyre, këtë vit, një rast i raportuar nga Klinika Infektive është në gjendje të rëndë klinike.

“Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontak”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjepruese.

“Në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës. Trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë”, thuhet tutje në kumtesë.

Sipas Institutit, nëse të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat.

Ata thonë se Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës.

Masat parandaluese:

1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane

2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve

3. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë

4. Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar

5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar

6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve

7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies

8. Mos hidhni mbeturina kudo

9. Të bëhet klorimi i ujit të pijes

10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve

11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.