Shpalljen e dy organizatave serbe si terroriste, BE-ja e quan “hap të njëanshëm”

Bashkimi Evropian vlerëson se shpallja e dy organizatave serbe si terroriste nga ana e Qeverisë Kurti, është një hap i njëanshëm që nuk i kontribuon qetësimit të situatës në Kosovë.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, BE-ja sërish iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim që mund t’i thellojë tensionet ndërmjet dy vendeve.

“Udhëheqësit e 27 Shteteve Anëtare të BE-së në Këshillin Evropian javën e kaluar bënë thirrje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në Kosovë. Këto përcaktime janë një hap i njëanshëm që nuk kontribuon në de-përshkallëzimin e situatës dhe për të gjetur një mënyrë për të adresuar problemet ekzistuese në mënyrë të qëndrueshme”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Ne përsërisim thirrjen që të dyja palët të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritje të mëtejshme të tensioneve dhe të ndërmarrin hapa urgjentisht për të de-përshkallëzuar situatën aktuale në veri të Kosovës në përputhje me propozimin e bërë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell më 22 qershor dhe Deklaratën e 27 Shteteve Anëtare të BE-së më 3 qershor”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se më 29.06.2023, Qeveria Kurti i ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, ekzistojnë prova të mjaftueshme që dëshmojnë se këto organizata i përmbushin të gjitha elementet për t’u cilësuar si terroriste dhe se Qeveria e Kosovës do të bënte shkelje nëse nuk do ta ndërmerrte një veprim të tillë.

Mirëpo Qeveria Kurti nuk është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë për një veprim të tillë. Nga Ambasada Amerikane, Gjermane dhe Franceze, kanë bërë të ditur për Klankosova.tv se Qeveria e Kosovës nuk i ka njoftuar paraprakisht para se ta ndërmarrë një hap të tillë.