Shqipëri-Islandë në “Air Albania”, rrugët që bllokohen në orën 18:00

Në kuadër të zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Islandë, mbrëmjen e 27 shtatorit në stadiumin “Air Albania” policia e shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e procesit si dhe qarkullimin e metëve në kryeqytet.

Policia ka njoftuar se disa akse do të bllokohen nga ora 18.00 deri në përfundim të aktivitetit, konkretisht: Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Masat e marra nga Policia e Tiranës përfshijnë jo vetëm ambientet e stadiumit, por edhe perimetrin jashtë tij. Policia njofton se nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar dhe do të ushtrojë kontrolle ndaj tyre para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme.

Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium tifozët që në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si problematikë.

Ndeshja do të nisë në 20.45 në stadiumin “Air Albania” dhe do të jetë e vlefshme për ‘Nations League’./Fokusi.info/