“Shqipëria në rrezik”, demokratët kërkojnë largimin e Ramës

Me moton “Për Shqipërinë në Rrezik” me mijëra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë në Tiranë. Protesta e thirrur nga Partia Demokratike kundërshton rritjen e çmimeve dhe shpopullimin, ku sipas opozitës faktor është qeveria, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Sali Berisha, kreu i PD i zgjedhur nga procesi i zhvilluar nga Rithemelimi, e ka cilësuar këtë tubim si fillimin e rrëzimit të regjimit të Ramës.

Protesta ka nisur pak pas orës në orën 19.00 dhe do të zgjasë deri në orën 21.00, ku po mbajnë fjalën qytetarë, deputetët të PD ndërsa në fund edhe Sali Berisha.

Protesta është paralajmëruar që do të jetë paqësore, ndërsa policia ka vënë në gatishmëri mbi 1000 efektivë për të siguruar mbarëvajtjen e saj.

Kryeministria ka blinduar dyert e saj që një ditë më parë, ndërsa në gatishmëri po qëndrojnë autobotet me ujë për shpërndarjen e turmave në raste dhune si dhe njësi nga shërbimi zjarrfikës dhe shëndetësor.

Në kuadër të protestës janë bllokuar disa segmente rrugore në Tiranë si Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Rruga “Gjergj Fishta”, Bulevardi “Bajram Curri”, Bulevardi “Zhan D’Ark”.